Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Shoqatës së Kontabilistëve të rinj shqiptarë në Itali dhe të Shoqatës së Kontabilistëve Italianë.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet e të rinjve profesionistë shqiptarë për të sjellë ekspertizën dhe potencialin e tyre në Shqipëri, duke krijuar një urë bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve vendase.
Begaj falënderoi Italinë për mirëintegrimin e komunitetit shqiptar në shoqërinë italiane si dhe për rolin e saj si partner kryesor ekonomik dhe investitor i rëndësishëm në vend.
Në biseda u përqendrua edhe në Konferencën “Shqipëria: Urë Mundësish – Investime Strategjike për të Ardhmen”, që do të mbahet më 18-19 shtator 2025 në Tiranë, e cila është iniciativë e dy shoqatave që ai priti sot.
Presidenti Begaj shprehu mbështetjen e tij për këtë dhe iniciativa të tjera që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të Shqipërisë.









