Në një takim të zhvilluar sot, e ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Nancy VanHorn ka diskutuar me Kryeprokurorin e SPAK Altin Dumani për intensifikimin e bashkëpunimit mes strukturës së posaçme të drejtësisë dhe agjencive amerikane të zbatimit të ligjit.
Tema kryesore e bisedimeve ishte lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikimit të drogës, si dhe thellimi i angazhimit në ndihmën për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që bashkëpunojnë me SPAK në përparësitë tona të përbashkëta për të goditur organizatat e rrezikshme kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipërisë,” thuhet në deklaratën e Ambasadës.