Nëna e Mark Samson Nors Manlapaz akuzohet se ndihmoi të birin pas vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula duke pastruar gjakun në dhomën e gjumit me lecka dhe detergjent. Ngjarja ndodhi më 26 mars në banesën familjare në Romë.
Sipas Prokurorisë italiane, ajo nuk e denoncoi krimin, por veproi me gjakftohtësi për të zhdukur gjurmët.
Akuza ndaj saj është “bashkëpunim në fshehjen e një kufome”, e rënduar nga qëllimi për të mbuluar një krim të rëndë.
Prokurorja Maria Perna ka kërkuar 2 vite burg, por me marrëveshje për pranimin e fajësisë, ajo mund të përfitojë dënim me kusht. Seanca zhvillohet më 10 nëntor.
Ndërkohë, djali i saj, Mark Samson, akuzohet për vrasje me paramendim. Ai dyshohet se e dhunoi dhe e goditi Ilariën me thikë tre herë në qafë pas një konflikti xhelozie.
Trupin e saj e fshehu në një valixhe dhe e hodhi në një zonë shkëmbore në Capranica Prenestina. Gjyqi i tij nis më 12 nëntor.