Ditën e sotme në gjykatë po dëshmon Arben Haxhiaj për atentatin ndaj automjetit të ish-prokurorit Arjan Ndoj, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019, pranë mbikalimit të Shkozetit. Në këtë çështje të pandehurit janë Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe.
Arben Haxhiaj është vëllai i Bashkim Haxhiajt, i cili është i pandehur në një proces të ndarë, por të lidhur me të njëjtën ngjarje. Haxhiaj tregoi se në vitin 2020 jetonte në Durrës dhe kishte në pronësi një bar të vogël në lagjen nr. 5. Ai përmendi një takim që kishte pasur në lokal me Aleksandër Lahon, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut.
“E kam njohur më shumë nga televizioni, por ka ardhur vetë tek lokali, vetë i tretë. M’u prezantua. Ishte pak i shëndoshë, i rrumbullakët. Arsyeja e takimit ishte për të më paralajmëruar që im vëlla, Bashkimi, të largohej nga ky sherr,” tha Haxhiaj.
Sipas tij, gjatë bisedës i ishte përmendur atentati ndaj Julit (Julian Meçe), i cili kishte mbetur i plagosur rëndë: “Julit ka ndenjur në allçi. Ka ngrënë 4 plumba,”.
Ai theksoi se nuk ka pasur lidhje me konfliktin dhe se pas bisedës me Lahon kishte vijuar punën e tij. Gjithashtu pohoi se kishte ndërruar numrin e telefonit, por pas kësaj kishte marrë një mesazh kërcënues.
“Më kanë thënë: Hiqni dorë, se do ta vrasim vëllain. Do të marrim edhe fëmijët e tu. Nuk e di kush e ka dërguar, por ka ndodhur pas bisedës me Rrumin,” – deklaroi ai.
Arben Haxhiaj tregoi edhe për momentin kur vëllai i tij kishte pësuar atentat dhe për faktin se ishte ndaluar nga policia menjëherë pasi kishte mbërritur në spital. Sipas tij, në makinën ku ndodhi atentati ndaj prokurorit Ndoj, ishin edhe Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, të tre të plagosur në ngjarje.
“Po të ishte zgjidhur kush e bëri atë atentat, nuk do të isha unë këtu sot. Vij të dëshmoj se më thërrasin, por fëmijët e mi janë në rrezik, jetoj në Durrës,” tha ai, duke lënë të kuptohet se ende ka frikë për jetën e tij dhe të familjes.