Ndryshimet e fundit në përbërjen e Komisionit Komunal Zgjedhor të Kërçovës kanë ngjallur reagime dhe shqetësime në opinionin publik shqiptar. Me vendimin e ri, përbërja është përmbysur. Numri i shqiptarëve është reduktuar në dy. Ndërsa maqedonasit u rritën në tre. Ky ndryshim, nga shumë qytetarë shqiptarë shihet si një manovër që ka destinacion manipulimin e procesit zgjedhor. Sepse, edhe pse kryetari i komisionit është shqiptar, vendimet miratohen me shumicë votash.
Çka do të thotë se përfaqësimi më i madh i anëtarëve maqedonas mund të ushtrojë ndikim real mbi çdo fazë të procesit zgjedhor. Që nga verifikimi i listave, administrimi i materialeve zgjedhore, e deri te numërimi i votave. Ky fakt ushqen perceptimin e një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë politike e cila lidhet me synimin e qeverisë dhe bllokut opozitar maqedonas për të fituar me çdo kusht Komunën e Kërçovës. Në këtë kontekst, vendimi nuk shihet vetëm si teknik, por si një akt politik. Një skemë e cila ka synim të krijojë një goditje psikologjike për të dekurajuar votuesin shqiptar.
Sdomos ata të diasporës që kanë rol të madh në rezultatet zgjedhore, si dhe komunitetet e vogla si turqit dhe romët, të cilët ndikojnë në diferenca. Pra, është një strategji që kombinon hilen institucionale me demotivimin elektoral. Goditje të cilat nënkuptohen se do të ndodhin edhe nga deklaratat e figurave më të larta të VMRO-së siqë është Ilija Dimoski. Ku në emisionim Clic Plus në Tv21, duke aluduar në një mobilizim edhe shtetëror, ai potencojë se gara në Kërçovë do të jetë “atipike”, dmth diçka e pazakonshme. Që le të kuptosh se ndërhyrja një ditë më vonë në Komisionin Zonal, flet qart për një vendim i cili perceptohet si një tentim për shtrembërim të procesit zgjedhor.
Lëvizje të cilat pritet të prodhojnë efekte të kundërta. Të cilat në vend që ta çorodisin, mund ta mobilizojnë edhe më shumë elektoratin shqiptar. Në politikë, shpesh herë tentativat e “kontrollit nga lart”, kthehen në nxitës të fuqishëm të mobilizimit nga poshtë. Prandaj, kandidatët shqiptar përballë këtij zhvillimi, duhet të përgjigjen në dy plane. Të aspektit ligjor që të kontestojn këtë vendim. Si dhe në planin politik të marrin masa që përmes një mobilizimi maksimal të strukturave dhe elektoratit, të prodhojnë një rezultat final me diferencë të thell, i cili nuk do mund të përmbyset nga manovra të tilla.
Në fund të ditës, fitorja në Kërçovë nuk do të vendoset vetëm në sallat e komisioneve zgjedhore, por mbi të gjitha në kutitë e votimit dhe në aftësinë e palëve për të organizuar dhe frymëzuar elektoratin e tyre. Nëse shqiptarët arrijnë të shndërrojnë këtë vendim të diskutueshëm në një thirrje për pjesëmarrje masive, atëherë tentativa për manipulim mund të kthehet në bumerang politik për kundërshtarët.