Shefi i pediatrisë në Korçë, Robert Rado ka dhënë detaje nga gjendja shëndetësore e 3 motrave që konsumuan karamele me përmbajtje kanabisi që i gjetën pranë një koshi mbeturinash.
Ai ka thënë se dy motrat të moshës 11 dhe 8-vjeçe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa 3-vjeçarja u vendos në intubim.
“Ky ishte i pari që erdhi në gjendje të rëndë dhe u detyruam ta intubonim fëmijën në shërbimin e reanimacionit të të rriturve. Pasi pamë gjendjen, u konsultuam dhe, duke u nisur nga rrethanat dhe koha, vendosëm ta intubonim për t’i dhënë ndihmën e nevojshme dhe për t’i shpëtuar jetën”, tha pediatrit Rado referuar 3-vjeçares.
Ai theksoi se aktualisht e mitura është ekstubuar (pra është hequr nga aparati i ventilimit). Pediatri theksoi se është shpejt për të dhënë konkluzione përfundimtare rreth gjendjes së saj për shkak se substancat mund të kenë efekte afatgjata.
“Aktualisht, që po flasim, kemi ardhur nga reparti i reanimacionit të të rriturve, ku fëmija Ruam parametrat jetësorë, është me oksigjen në një gjendje të kënaqshme brenda normave. Por përsëri është shpejt për të dhënë mendime përfundimtare mbi ecurinë, sepse këto substanca kanë efekte afatgjata. Efektet mund të zgjasin nga 6 orë deri në 3 ditë, ndërsa eliminimi i tyre nga organizmi, përmes sistemit renal, pra urinimit, mund të shkojë deri në 15 ditë”, tha pediatri.