Inspektori i Lartë i Drejtësisë me anë të një letre njofton se nuk ka nisur një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli.
Prokuroja e Shkodrës, Elsa Gjeli u akuzua nga qeveria se nuk nisi hetim për një ndërtim pa leje në zonën e Thethit.
Në letër thuhet se nuk janë konstatuar elementë juridikë apo faktikë për të krijuar një dyshim të arsyeshëm për të nisur hetimin ndaj prokurores Gjeli.
“Ju vëmë në dijeni se, Inspektori Lartë i Drejtësisë (ILD) pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj, të regjistruar me nr. 2138 prot., datë 10.07.2025, ndaj veprimtarisë së magjistrates znj. Elsa Gjeli, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe referuar vendimit nr. 2138/3 prot., datë 15.07.2025 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë “Për verifikimin pas shqyrtimit fillestar të ankesës dhe informacionit të marrë, ka konkluduar se, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Elsa Gjeli me detyrë prokurore në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Për këtë arsye, është vendosur arkivimi pas verifikimit të ankesës tuaj, bazuar në nenin 122, pika 4 të ligjit ar. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në mbështetje të nenit 119, pika 4 dhe nenit 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bashkëlidhur këtij njoftimi, ju lutemi, të gjeni një kopje të vendimit të arkivimit të ankesës
Në përputhje me nenin 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ju keni të drejtë të ankimoni këtë vendim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, brenda 1 (një) jave nga datá e marrjes së vendimit të arsyetuar”, thuhet në letrën e ILD-së.