Pasagjerët në disa nga aeroportet kryesore të Europës janë përballur edhe këtë të diel me vështirësi serioze. Kjo si pasojë e një sulmi kibernetik që goditi të shtunën sistemin e regjistrimit të fluturimeve.
Ndërprerja ka shkaktuar anulime masive dhe radhë të gjata në terminale. Aeroporti i Brukselit konfirmoi se 50% e fluturimeve të ditës së sotme më 21 shtator, do të anulohen për shkak të problemeve të vazhdueshme në sistemin elektronik të check-in-it.
Eurocontrol, agjencia evropiane e menaxhimit të trafikut ajror, u kërkoi kompanive ajrore të reduktojnë oraret drejt dhe nga Brukseli deri të hënën.
Aeroporti Heathrow në Londër raportoi vonesa për disa linja ajrore, për shkak të një “problemi teknik” në sistemin e regjistrimit. British Airways ka kaluar në një sistem rezervë dhe po operon normalisht, por shumë kompani të tjera vazhdojnë të përballen me pengesa.
Në Berlin, Aeroporti Brandenburg regjistroi pritje të gjata dhe vonesa të konsiderueshme.