Pak ditë para fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe përpara njohjes zyrtare të shtetit palestinez nga Britania, Portugalia, Kanadaja dhe Australia, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të kundërshtojë fuqishëm çdo përpjekje të tillë, duke e konsideruar atë një kërcënim për ekzistencën e vendit.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar, Netanyahu theksoi se në OKB do të prezantojë “të vërtetën e Izraelit” dhe do të luftojë kundër “propagandës së rreme” për Palestinën, duke e cilësuar krijimin e shtetit palestinez si “shpërblim absurd ndaj terrorizmit”.
Ai njoftoi gjithashtu se do të takohet së shpejti me presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin diskutimet janë të shpeshta dhe intensive.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu zbuloi përparime në bisedimet me Sirinë, të cilat mund të çojnë në marrëveshje paqeje me Damaskun dhe Bejrutin, përfshirë mundësinë e ndalimit të sulmeve ajrore izraelite dhe tërheqjen e trupave nga jugu i Sirisë. Ai pritet të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit për të diskutuar këtë plan.