“Një vjeshtë me stuhi” është romani i famshëm i shkrimtarit tonë të mirënjohur, Ali Abdihoxha. Ky “best seller” u botua në vitin 1959 me ngjarje dhe personazhe të spikatur në vitet e luftës në Shqipëri dhe në Elbasan.
Ndërsa ky shkrim do të përshkruajë ”vjeshtën me stuhi” diplomatik që ka përfshirë Selinë e OKB-së në Nju Jork. E kemi fjalën për Sesionin e 80-të jubilar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që u çel me 9 shtator, me praninë e një numri të madh kryetarësh shteti, qeverie, ministrave të jashtëm, drejtuesve më të lartë të organizatave ndërkombëtare, etj.
Ajo do të kulmojë më 22 – 27 Shtator, që është tradicionalisht Java e Debatit Politik të nivelit më të lartë dhe do mbyllet në fund të muajit dhjetor.
Në fakt, çdo vjeshtë në ”Pallatin e Qelqtë” në Nju Jork ka qenë e ngarkuar me shumë dosje të nxehta gjeopolitike. Mirëpo, stuhia diplomatike e këtij viti pritet të jetë e pashembullt. Sepse tani bëhet fjalë për përpjekje dhe përplasje të forta gjeopolitike në mbi 32 vatra krizash, luftrash dhe incidentesh tejet të rrezikshme. Me kulmin e tyre në dy konfliktet më të mëdha të 80 viteve të fundit – agresioni rus kundër Ukrainës me premtime, parashikime dhe demarshe të shumta diplomatike, por me pak shpresa për paqe të qëndrueshme.
Ndërsa në Lindjen e Mesme, rebusi i ngatërruar ku përfshihen shumë vende dhe fuqi të mëdha vazhdon të jetë më shpërthyes se kurrë, me pyetje madhore gjeopolitike ulëritëse por ende pa përgjigje bindëse dhe premtuese.
Pa pretenduar për analiza tërësore tematike, mbasi ato janë bërë në javët dhe muajt e kaluara, por më tepër si një ”aperitiv” gjeopolitik, më poshtë jepet një panoramë e përmbledhur problematike e politikës dhe diplomacisë botërore në këtë vjeshtë vërtet të stuhishme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork
Padyshim që në qendër të vëmendjes publike, mediatike dhe diplomatike do të jetë Presidenti Trump. Jo thjesht dhe vetëm si kreu i shtetit mikpritës, por kryesisht se në 8 muajt e tij të parë ai ka tronditur seriozisht botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjitha format dhe formatet. Duke venë në dyshim rendin e sotëm botëror, duke zëvendësuar dora dorës forcën e ligjit me ligjin e forcës, duke promovuar teorinë e ekuilibrit të fuqive dhe ndarjen e zonave të influencës si dikur; si lider i paparashikueshëm që me doktrinën e tij transaksionaliste, e cila në themel ka fitimin nëpërmjet ujdive, kërkon që Amerika të jetë e para dhe të bëhet sërish e madhe. Me pretendimet për t’i dhënë fund dhe shpejt luftrave në botë me ” diplomacinë e fuqisë” por që të paktën në Ukrainë, i ka ”i ka ngecur sharra në gozhdë” ndërsa Lindja e Mesme po njeh vetëm acarim të mëtejshëm të gjendjes.
Më tej, Presidenti Trump ka hedhur hije të mëdha dyshimi mbi vazhdimin e aleancës tradicionale Euro-Atlantike, duke e kthyer Europën në aktore anësore. Mirëpo këtu, përkundrejt euroskeptikëve që nuk lenë rast pa qortuar dhe akuzuar Europën, siç sugjeron dhe zonja Nicol Gnesotto, historiane Euro-Atlantike franceze, zv.drejtore e Insitutit prestigjioz ” Jacque Delors” ” do qartësuar se ”nuk është nënshtruar Europa ndaj Trumpit, por ai po manipulohet nga Putini”!
Për pasojë, Rusia po përshkallëzon më ashpërsi më të madhe agresionin kundër Ukrainës, e mbështetur dhe e nxitur nga qëndrimi pasiv dhe afrimi i madh i SHBA-ve drejt Moskës. Madje, Putini ka arritur t’ia mbushë mendjen homologut amerikan se armëpushimi, si hapi i parë i domosdoshëm drejt paqes është i panevojshëm.
Praktikisht, Moska po kërkon që paqen e vërtetë të kthejë në kapitullim dhe pushtim të ri për Ukrainën. Ndryshe, si mund të ketë paqe të vërtetë me një Ukrainë Jo në tokat e veta të përpara vitit 2014, Jo në NATO, Jo me ushtrinë e vet, Jo me trupa europiane dhe amerikane atje si garanci sigurie dhe Jo me sovranitet! Trekëndëshi i papajtueshëm bermuadian këtu është se Europa/Kievi duan paqe, Trump Ujdi, ndërsa Putin do Fitore! Madje, ditët e fundit Rusia shkaktoi alarm të ri te NATO me sulmin me dronë në territorin polak dhe atë rumun, duke treguar se ” oreksi” i saj ekspansionist shkon tej Ukrainës, duke e tendosur akoma më shumë situatën në prag të debatit të madh në Nju Jork.
Gjithsesi, Europa si deri tani dhe në Nju Jork do të tregojë se do të vijojë me demarshe të tjera diplomatike paqebërëse në Ukrainë dhe sidomos të ” revolucionit” në fushën ushtarake që në Mars u shpall si Riarmatimi Europian. Siç dihet, ajo do të rrisë nga 2 në 5 për qind të GDP-së shpenzimet e saj për NATO-n dhe do të shpenzojë 850 miliard Euro për mbrojtjen, krahas 150 miliard të tjera për infrastrukturën ushtarake. Po ashtu, Gjermania synon të bëhet brenda pak viteve fuqia më e madhe ushtarake në Europë. Për këtë qëllim, muajt e fundit janë nënshkruar marrëveshje ushtarake midis BE-së, Francës dhe Gjermanisë me Britaninë e Madhe, midis Italisë dhe Turqisë, etj.
Ideja është që mundësisht brenda vitit 2029, madje dhe më herët, BE-ja të jetë kthyer dhe në një Bashkim të Madh Mbrojtës, për t’i bërë ballë dhe vetë çdo sulmi ushtarak rus në të ardhmen.
Duke kaluar në Lindjen e Mesme, ndonëse pas luftës 12 ditore izraeliane në muajin qershor, të mbështetur fuqimisht nga SHBA-të, Irani pësoi humbje shumë të rënda dhe në infrastrukturën bërthamore, megjithë tratativat e shumta, paqja dhe qetësia aty janë ende shumë larg. Gjendja mbetet shpërthyese, një ekuacion me shumë të panjohura të vështira për t’u zgjidhur. Irani mbetet i gatshëm të rifillojë përgatitjet për bombën atomike;” ushtritë” e tij rezervë, huthët dhe Hisbullahu po mundohen të rimarrin vehten pas humbjeve më të fundit dhe rënies së diktatorit sirian Assad.
Disa vende arabe, përfshirë Libanin dhe Sirinë po përgatiten për marrëveshje paqeje me Izraelin nën ndikimin amerikan. Mirëpo, tani situata atje është ndërlikuar dhe ndezur akoma më shumë pas ofensivës më të fundit ushtarake izraelite për zaptimin e Gazës me mijra viktima të pafajshme. Kjo ofensivë dhe mbështetja amerikane për Tel Avivin ka provokuar kundërshtime masive te BE-ja dhe vendet arabe; kjo situatë rrezikon të prishë dhe marrëveshjet e famshme ”Abrahams” të vitit 2020.
Ndërkohë, vendimi i Presidentit francez Macron për të njohur Palestinën në këtë sesion të OKB-së i ”ka ndezuar dhe më shumë gjakrat” dhe ka krijuar tensione të reja me aleatët amerikanë. Njohjen e Palestinës këto ditë do ta bëjnë dhe Britania e Madhe, Kanadaja, Portugalia, Australia, Belgjika, Luksemburgu dhe shtete të tjera, duke krijuar një dinamikë të re cilësore në këtë fushë të minuar. Kështu, njohja e shtetit të Palestinës sipas zgjidhjes me dy shtete është bërë ”molla e re e madhe e sherrit” ndërmjet vendeve arabe, të BE-së dhe NATO-s me SHBA-të dhe Izraelin që janë vendosmërisht kundër.
Madje, Departamenti Amerikan i Shtetit i refuzoi dhe vizën hyrëse delegacionit zyrtar të Autoritetit Palestinez, i cili do të merrte pjesë në Samitin që Franca dhe Arabia Saudite do të organizojnë më 22 Shtator në Nju Jork mbi njohjen e Palestinës, pas miratimit të Rezolutës përkatëse të Nju Jorkut më 12 Shtator, vetë me 10 vota kundër, përfshi SHBA-të dhe Izraelin.
Për pasojë, Gaza, Palestina dhe zgjidhja sipas konceptit me dy shtete ka dalë sërish në krye të rendit të ditës në Nju Jork. Ndonëse, siç ka pohuar dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ajo është më larg se kurrë, sërish nuk ka alternativë tjetër më të mirë për paqe, siguri dhe stabilitet në Lindjen e Mesme. Natyrisht deri te njohja dhe krijimi i Shtetit të Palestinës do të duhet të ndëmerren hapa të tjerë madhorë, si çarmatosja dhe largimi i Hamasit nga qeverisja, reformimi i Autoritetit Palestinez, që të jetë në gjendje të administrojë Gazën, etj.
Padyshim që gjatë këtij sesioni priten demarshe dhe zhurmë më e madhe nga vendet e të ashtuquajturit Jugu Global dhe BRICS. Ka kohë që ato kanë dalë si kundërpeshë ndaj SHBA-ve dhe Perëndimit në përgjithësi dhe në favor të Rusisë dhe Kinës, dy vendet që praktikisht i kryesojnë këto dy grupime madhore gjeopolitike. Por, për shkak dhe të homogjenitetit të tyre të madh dhe përplasjes së interesave politike dhe ekonomike te vendet anëtare, as Jugu Global dhe as BRICS nuk ka arritur të bëhet ende faktor përcaktues në skenën botërore, madje as në aspektin ekonomik. Gjithsesi, dinamikat e reja cilësore po i shtyjnë ato drejt sheshimit të kontradiktave mes tyre drejt një kohezioni më të madh politik. Samiti i Shangait në Kinë më 31 Gusht – 1 Shtator, prania atje e mbi 20 kryetarëve të shtetit dhe qeverive, fjalimet dhe uniteti i shfaqur, parada madhështore me rastin e 80 Vjetorit të përfundimit të Luftës së II Botërore, prania atje dhe e Kryeministrit të Indisë, deri tani vonë aleat i fortë i SHBA-së por i sanksionuar javët e fundit nga Trump, të gjitha këto ishin sinjale dhe mesazhe domethënëse politike të këtij grupimi të ri. Mbi të gjitha, ai kërkon mbi të gjitha një rend të ri ndërkombëtar, ama jo më me SHBA-të në krye por me Kinën/Rusinë si ” violinë e parë”. ” Pallati i Qelqtë” në Nju Jork është vendi më ideal për t’i shpalosur hapur këto pretendime strategjike, të shoqëruara edhe me kërkesën për përfaqësimin e tyre më të madh në forumet më të larta të OKB-së dhe filialeve të tij, FMN, Banka Botërore, etj.
Duke u kthyer në Europë, me interes priten dhe takimet lidhur me synimin e BE-së për zgjerimin drejt Ukrainës dhe Ballkanit Perendimor. Në këtë të fundit, deri tani, Shqipëria dhe Mali i Zi janë më të privilegjuarit, edhe pse asgjë nuk do marrë e mirëqenë.
Shpresohet që deri në fund të tetorit Shqipëria do të ketë çelur negociatat për të gjitha grup kapitujt, me synimin që ato të mbyllen brenda vitit 2027. Një objektiv tejet i guximshëm, realizimi i të cilit tani e tutje kërkon punë, mobilizim, reforma të vërteta, pa batuta, parodi, propagandë dhe fishezjarre. Për të mos përmendur disa ” incidente” dhe projekte të njohura ligjore të javëve të fundit, të cilat mund të na kushtojnë shumë në vijueshmërinë e këtij procesi.
Veç sa sipër, Ballkani dhe Dialogu Serbi – Kosovë do të jenë padyshim tema të tjera të nxehta diskutimi në Nju Jork. Si zakonisht, aq më tepër tani, këto probleme do të diskutohen dhe në një seancë të posaçme kushtuar Balkanit Perendimor, në takimin rajonal me BE-në dhe në takime dypalëshe.
Shpresohet që Nju Jorku të bëhet piknisja e rifillimit të dialogut politik midis Serbisë dhe Kosovës që ëshë prej kohësh ”i vdekur por i pakallur”. Për fat të keq, Prishtina zyrtare shkon në Nju Jork pas stuhisë politike që ka shkaktuar ditët e fundit ulja e ndjeshme e nivelit dhe formatit të marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-të, çka mund ta rrezikojë shumë dhe gjatë, nëse nuk reagohet tani shpejt, me frymë konsensusi mbarëpartiak, me vullnet politik, pa justifikime dhe sofizma ligjorë.
Problematikat këtu janë të shumta dhe serioze, duke filluar nga moszbatimi i marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit, tensionet dhe provokimet serbe në veri, vazhdimi i trajtimit nga Perëndimi i Beogradit ”si i nënës” dhe i Prishtinës ”si e njerkës”, etj. Kërkohet që më në fund BE-ja t’i japë fund mbështetjes pa kushte të Beogradit dhe të Vuçiç, duke e konsideruar atë demek aktor dhe faktor stabiliteti.
Për fat të keq dhe gjendja në Kosovë është e nderë, sidomos pas dështimit të 60 seancave për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, kur politika në Prishtinë tregoi se mund të ” mbytet dhe me një lugë uji”. Prishtina jo vetëm nuk ka ditur të përfitojë nga situatat e krijuara, por e ka cënuar rëndë imazhin dhe perceptimin e saj në Europë dhe më tej. Ndaj, nuk ka pse të habitemi që dhe kërkesat e saj për anëtarësim në KiE, në NATO, çeljen e negociatave me BE-në dhe heqjen e masave të saj ndëshkuese do të vazhdojnë të ”bien në vesh të shurdhët”.
Shpresojmë që gjatë takimeve dhe veprimtarive në Nju Jork, si Prishtina dhe kryesisht Beogradi ta kuptojnë se pa ndryshuar frymën, strategjinë, konceptin dhe përqasjen e tyre, dialogu do të mbetet frazë boshe dhe nuk do ketë palë të fituar.
Së fundi, si çdo vit, Nju Jorku ofron mundësi për t’i dhënë një shtysë dhe Procesit të Berlinit që ka mbetur në vend vitin e fundit për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani. Për më tepër, Berlini e ka humbur ritmin, peshën dhe dinamikën, por ka shpresa se do rigjallërohet në Samitin e Londrës në Tetor.