Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se aleatët evropianë duhet të ndalin menjëherë blerjen e naftës nga Rusia dhe akuzoi Kinën dhe Indinë se po financojnë luftën e Moskës kundër Ukrainës përmes blerjeve të produkteve ruse.
Duke folur para udhëheqësve botërorë në hapje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 shtator, Trump tha se gjatë mandatit të tij presidencial u ka dhënë fund shtatë konflikteve – në mesin e tyre ka përmendur edhe Kosovën dhe Serbinë. Trump muajve të fundit ka deklaruar disa herë se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq duke folur për luftën në Ukrainë, Trump tha se ai mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë për të ndalur luftimet, por pa veprime të ngjashme nga Evropa “ne të gjithë po humbasim shumë kohë”.
“Në rast se Rusia nuk është e gatshme të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, atëherë SHBA-ja është e përgatitur që të vendosë një rund të tarifave shumë të fuqishme që do të ndalnin gjakderdhjen, besoj shumë shpejt”, tha ai gjatë takimit të përvitshëm në Nju Jork.
“Por, që këto tarifa të jenë efektive, shtetet evropiane… do të duhet të na bashkohen duke vendosur masa të njëjta… Evropa duhet të bëjë më shumë”.
Më tej pas takimit me presidentin ukrainas, Zelensky, Trump u pyet nga gazetarët nëse mendon që NATO duhet të rrëzojë aeroplanët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën ajrore të NATO-s.