Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu në përfundim të seancës në Gjykatën e Posaçme për çështjen Gërdeci është shprehur se SPAK po e vesh këtë proces me negativitet.
Mediu tha se ka paraqitur një kërkesë që të thirren për të dhënë dëshmitë e tyre komandantët ushtarakë gjermanë dhe amerikanë. Ai shtoi se kërkesa nuk është aprovuar.
“Në aktekspertim thuhet se zonat ushtarake bëjnë demontim, sipas ushtarakëve kanë punuar me kapacitet të plotë.
Po ta bëjmë krahasimin me kontratën për fishekët kemi 7 milionë euro.
Verifikimi i dokumentacionit është punë e kompanisë, sepse kompetencat e ministrit përcaktohen me ligj, me VKM dhe me Kushtetutë.
Prokuroria po e vesh gjithçka me negativitet.
Janë 5 urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm për municionet sepse nuk përcakton ministri nëse janë municione të vogla apo të mëdha.
Këtu nuk ka as prezumim pafajësie, as çështje të gjykuar.
Dokumentet nuk mund të jenë të shkëputura, do t’i paraqesim pikë për pikë.
Sot kërkuam të thirren për të dhënë dëshminë komandantët ushtarakë amerikanë dhe gjermanë që kanë punuar me ne dhe ekspertët.
Kërkesa jonë nuk u pranua”, tha Mediu.