Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose ka pritur sot në Burgun e Fierit, zv.ambasadoren e Britanisë së Madhe, Julia Sutherland dhe sekretarin e dytë John Walker.
Ata janë njohur më nga afër me projektet e realizuara në Fier në kuadër të bashkëpunimit dypalësh.
Qose ka faleminderuar Ambasadën Britanike për këtë kontribut domethënës dhe për partneritetin e vazhdueshëm në drejtim të humanizimit dhe modernizimit të sistemit korrektues.
“Palestra dhe ambientet e posaçme për zhvillimin e kurseve profesionale, si ai për instalime elektrike, janë financuar nga Qeveria Britanike përmes Ambasadës Britanike në Tiranë, si pjesë e mbështetjes së tyre të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve në sistemin penitenciar dhe forcimin e komponentit të rehabilitimit.
Këto kurse i pajisin të dënuarit me aftësi të nevojshme për tregun e punës dhe u japin një mundësi konkrete për të ndërtuar një të ardhme ndryshe . Certifikatat që lëshohen pas përfundimit të tyre kanë të njëjtën vlerë si ato që merren jashtë burgut, pasi në dokument nuk përcaktohet vendi ku është zhvilluar kursi.”, shkruan Qose në facebook.