-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Dr. Sadri Ramabaja: Republika e tretë dhe modeli i VV-së: Sulmi i sinkronizuar i piranjave

Kryesoret

Hyrje
Kosova, që nga shpallja e pavarësisë më 2008, ka qenë arenë e një tranzicioni të gjatë politik, i cili shpesh është karakterizuar nga kompromiset e dhimbshme ndërkombëtare, korrupsioni i brendshëm dhe paaftësia për të ndërtuar institucione plotësisht funksionale. Në këtë peizazh të ngarkuar, shfaqja dhe konsolidimi i Lëvizjes Vetëvendosje (VV) përfaqësoi një risi politike. Nga një lëvizje protestash qytetare në fillim, VV arriti të shndërrohej në forcën më të madhe politike në Kosovë dhe të inaugurojë një model qeverisës që synon të thyejë logjikën e vjetër të politikës së tranzicionit.

Ky model, në thelbin e vet, është një kombinim i sovranitetit politik, drejtësisë sociale dhe demokracisë qytetare. Nëse do ta shohim këtë përpjekje në një kornizë teorike, ajo lidhet me konceptin e sferës publike të Jürgen Habermas-it,1 idenë e hegjemonisë kulturore të Antonio Gramsci-t, si dhe me nocionin e komuniteteve të imagjinuara të Benedict Anderson-it.

Jürgen Habermasi e ndërlidhte shpresën për një sferë publike të lirë e të drejtë me selitjen e kritikës së shëndoshë të dalë nga arsyeshmëria dhe veprimi racional, që do të nxitnin pastaj promovimin e kulturës politike e institucione të fuqishme demokratike.
Ndërkaq në ” Studimin e Filozofisë ” Gramsci diskutoi rolin e “sensit të përbashkët” – idetë dominuese rreth shoqërisë dhe rreth vendit tonë në të – në prodhimin e hegjemonisë kulturore2, që do të jetë njëra nga shtyllat mbi të cilat është ngritur korniza teorike e VV.

Pyetja thelbësore është: a mund të shndërrohet ky model në një vizion gjithëshqiptar për të ardhmen, apo do të mbetet thjesht një eksperiment i kufizuar në Kosovë?
Me këtë pyetje ndërlidhet edhe gjasa për funksionalizimin e Republikës së tretë, meqë ajo mbetet e ndërvarur nga aftsitë e VV për ta realizuar modelin e saj qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe diskursi i ri politik

Lëvizja Vetëvendosje, që nga themelimi i saj në vitin 2005, u afirmua si një forcë e protestës kundër korrupsionit, klientelizmit dhe kontrollit të jashtëm mbi sovranitetin e Kosovës. Ajo solli një diskurs të ri politik, që për herë të parë në hapësirën shqiptare u ndërtoi platformë mbi tri shtylla: sovranitet kombëtar, drejtësi shoqërore dhe demokraci qytetare.

Në qeverisje, sidomos pas vitit 2021, VV ka tentuar ta transformojë këtë frymë në model qeverisës, me prioritete si: lufta kundër korrupsionit, reformimi i administratës, rritja e transparencës, orientimi social-demokrat drejt barazisë dhe investimeve në sektorë strategjikë (arsim, drejtësi, ekonomi digjitale).

Karakteri i modelit të VV-së

Sovraniteti si busull politike
VV e ka përqendruar identitetin e saj mbi idenë e një shteti që vendos vetë për çështjet e tij, duke e kundërshtuar logjikën e kompromisit të pafund me Serbinë dhe paternalizmin ndërkombëtar. Këtë objektiv politik e ka bazuar në interesin jetik nacional, duke implementuar ligje e politika që kanë kontribuar jo vetëm në shtrirjen e sovranitetit në veriun e Republikës, por edhe në krijimin e një imazhi të ri në raportet me ndërkombtëarët.
Drejtësia sociale si kauzë
Me theks në barazinë e mundësive, subvencionet për të rinjtë, dhe shëndetësinë publike, modeli tenton të kapërcejë ekonominë e kapur nga oligarkia.
Demokracia qytetare dhe horizontale
VV promovon një kulturë politike më pak të bazuar në hierarki të mbyllura partiake dhe më shumë në mobilizimin e qytetarit si aktor aktiv.
Ndarja e re në politikë

Ky model ka krijuar një ndarje të re në politikë – jo më vetëm mes majtas e djathtas, por mes “politikës së vjetër” të kompromisit, që i hapi rrugë sprovës për aneksimin e veriut Serbisë më 24 shtator 2023 dhe “politikës së re” të sovranitetit e integritetit. Megjithatë, tensioni mes realizmit politik me elemente të idealizmit dhe oportunitetit të skajshëm prej servilësh, një shkollë e njohur e të ashtuquajturave elita që janë krijuar në Kosovë gjatë pothuajse një shekulli të të qenunit koloni serbe, i veshur me etiketën e realpolitikës së shpifur, mbetet sfida kryesore. Lidershipi : dialogu me Serbinë, integrimi euro-atlantik, dhe ruajtja e stabilitetit.

Reflektimi i sukseseve të VV-së

Suksesi i VV-së po ushtron ndikim inspirues, duke shfaqur mundësinë e një platforme gjithëshqiptare të përbashkët, e cila i lidh çështjet sociale me ato kombëtare. Rritja e degëve të VV-së në diasporë apo interesimi në Maqedoninë e Veriut janë shenja të një projekti që shkon përtej kufijve të Kosovës.

Nëse VV arrin të institucionalizojë modelin e saj si një formë qeverisjeje efektive dhe të përgjegjshme, kjo do të thotë se shqiptarët mund të dalin nga cikli i tranzicionit të pafund dhe të projektohen si aktor koheziv në rajon. Nëse dështon, zhgënjimi do të ishte i madh dhe do ta forconte rikthimin e elitave të vjetra.

Tre skenarët e mundshëm për të ardhmen

Skenari optimist: VV konsolidohet në Kosovë, reformat japin fryt, dhe modeli shtrihet si inspirim politik në hapësirën shqiptare, duke krijuar një kohezion të ri kombëtar.
Skenari i mesëm: VV ruan dominimin politik, por përballet me kufizime të brendshme dhe presion ndërkombëtar, duke e reduktuar modelin në reformime të pjesshme dhe kompromis të vazhdueshëm.
Skenari pesimist: mungesa e rezultateve konkrete dhe sfidat e jashtme sjellin rënie të mbështetjes popullore, duke rikthyer elitat e vjetra dhe duke kufizuar modelin në një eksperiment të dështuar.
Kthimi në pushtet – kauza e vetme e opozitës

Beteja për rikthimin e elitave të vjetra është tejet e ashpër. Ky qëllim de fakto tashmë është shndërruar në kauzën e vetme të opozitës. Në mbështetje të kësaj kauze, për fat të keq, është edhe Tirana zyrtare. E vetkuptueshme se këtë kauzë përmes Listës Serbe e mbështet edhe Beogradi.

Altoparlantë të fuqishëm të ksaj kauze, ka kohë, fare hapur, janë shndërruar edhe një pjesë e mirë e Televizioneve në Prishtinë e Tiranë.
Nga orët e mëngjesit deri në ato të vona të mbërmjes “vlojnë” debatet televizive dhe lajmet e lloit të vet që, për objekt çitjeje e kanë kryeministrit Kurti dhe VV. Kryeministrin, siç u shpreh në një opinion të tij profesor Agim Vinca, duan ta çesin në giotinë!

Hegjemonia e etabluar e kësaj klase të vjetër të politikës kosovare, siç do të shprehej Gramshi, kishte prodhuar një lloj konsesusi pasiv dhe aktiv kurdo që i kërkohej nga qendrat e vendosjes, edhe kur ato kërkesa binin në kundërshtim me interesin jetik të Republikës dhe Kombit – rasti i Marrëveshjes së Brukselit [2013/15] – Zajednicës dhe ai i demarkimit të kufirit me Maqedoninë e Veiut, e me theks atij me Malin e Zi, janë më tipikët.
Rikthimi i kësaj opozite në pushtet, prandaj do të të ishte lajm i Zi për Kosovën dhe Kombin.
Për Gramshin e vjetra e rikthyer nuk është më e vjetra e zakonshme, por ajo shnëdrrohet në njëfarë përbindshi.3

Si po shfrytëzohet Lista Serbe nga opozita?

Kur kthimi në pushte shndërrohet në kauzë të vetme që ka sot opozita, mjetet nuk zgjedhen. Shih për këtë, ajo po shfrytëzon edhe Listën Serbe po për këtë qëllim. Kjo po ndodhë pvërsisht faktit se ajo, pra List Serbe, aktualisht është faktori politik më i kontestuar në Kosovë: formalisht pjesë e sistemit të Kosovës, realisht instrument i Beogradit.
Lista Serbe le të kujtojmë se, është themeluar dhe mbështetur direkt nga Qeveria e Serbisë. Ajo është kanal për kontrollin e popullsisë serbe në Kosovë dhe për të mbajtur ndikimin shtetëror serb në territorin e Kosovës.

Që prej themelimit të saj [bazuar në Marrëveshjen e Brukselit 2013] të gjitha qeveritë pararendëse të Qeverisë Kurti, pavarësisht kritikave, kanë pranuar Listën Serbe si realitet politik, duke ia dorëzuar de fakto veriun dhe duke bashkëqeverisur Republikën.
Për Serbinë ajo, LS, ka peshën më strategjike në doktrinën ekspansioniste serbe dhe mbajtjen hapur të mundësive për rikthim në Kosovë, respektivisht aneksimin e projektuar të veriut të Kosovës gjatë procesit të krijimit të “Botës serbe”. Lista Serbe mbetet mjeti kryesor për ta mbajtur Kosovën tëpapërfunduar si shtet. Përmes saj, Beogradi kontrollon jo vetëm serbët, por edhe proceset politike brenda Kosovës, duke përdorur bojkotet ose daljet nga institucionet si kartë presioni.

Lista Serbe duket se po i shërben tutje, jo vetëm Beogradit, por edhe opozitës (në mënyrë të tërthortë) në disa plane:

Lista Serbe shpesh ishte e vazhdon të jetë “faktor balancues” në Kuvend, duke garantuar shumicën për qeveritë.
Shumë marrëveshje qeveritare, siç dihet, janë bërë duke llogaritur votat e Listës Serbe.
Kjo i garanton opozitës një partner të parashikueshëm, edhe pse i imponuar.
Modeli politik dhe qeverisës i VV-së, siç e dëshmoi ky madat qeverisës, defunksionalizojë këtë peshë të Lisëts Serbe, si për Beogradin ashtu edhe për opozitën.

Pas tensioneve të viteve 2022–2023, tërheqjes së Listës Serbe nga institucionet dhe rënies së saj në një rol kryesisht bllokues e simbolik, Lista Serbe sot është si forcë politike dhe faktor real në rënie. Ndërkaq pas aktit agresiv të Serbisë në Banjë [24 shtator 2023], edhe opozita e ka të vështirë të kalkulojë publikisht me votat e saj.

Në vitet kur Lista Serbe ishte më aktive, PDK/LDK/AAK shpesh përdornin mundësitë e kombinimeve parlamentare me deputetë të saj për të bllokuar apo vonuar shumicën qeverisëse. Sot, kjo kartë është praktikisht e djegur. Opozita (PDK, LDK, AAK) megjithse e paraqesin kryeministrin Kurti si të paaftë për të menaxhuar raportet me serbët dhe Listën Serbe, ndërkohë këtë argument e zë në gojë gjithnjë e më pak. Me defunksionalizimin e saj [Listës Serbe], ky argument ka humbur peshë, pasi ajo ishte implikuar totalisht në agresionin e Beogradit në Banjë [2023] dhe mund të thuhet se duke qenë instrument i Beogradit ajo u vetparalizua.

Në mungesë të kauzës reale politike, qendra e debatit politik është zhvendosur tek temat e shpifura dhe raportet e Kosovës me partnerët tanë.
Në këto rrethana opozita është e detyruar të riformulojë strategjinë: nuk mund të mbështetet më te votat serbe për të krijuar kriza artificiale dhe pa mbarim në Kuvend. Rrjedhimisht sa më shumë që insiston opozita [e mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm], ta mbajë në jetë Listën Serbe, humbja do ët jetë më e thellë.

Shumë prej betejave politike të opozitës (p.sh. Asociacioni, dialogu me Serbinë) tani varen direkt nga mënyra se si VV e menaxhon procesin, jo nga levat e Listës Serbe. Ky realitet, në vend që t’i ndihmojë opozitës, ai e ka dobësuar tej mase. Sidomos duke mos e njohur meritën e Qeverisë në shtrirjen e sovranitetit në veri dhe forcimin e pozicionit indipendist , opozita ka pësuar keq politikisht. Shih për këtë, defunksionalizimi i Listës Serbe, ia ka ngushtuar hapësirat manovruese opozitës, duke e bërë më të varur nga performanca e saj elektorale sesa nga taktikat parlamentare.

Sulmi i sinkronizuar i piranjave

Sulmi i opozitës ndërkohë është më i përqëndruar. Në lojë kanë hyrë ashpër edhe oligarkët, me theks një lagje e tyre që kanë selitë në Pejë, por mbrapa nuk kanë mbetur as segmente të mafias së ndërtimit të përqëndruar në Prishtinë. Sulmi i tyre i sinkronizuar gjason me sulmin e piranjave.

Në një kërkim të shpejtë do të mësojmë se pse ky lloj peshku, që ka dhëmbë të mprehtë dhe vepron si tufë, duke sulmuar në mënyrë të sinkronizuar dhe duke zhveshur prenë në pak sekonda, shndërrohet në metaforë politike.

Në politikë, kjo i ngjanë një klase apo grupi interesash që vepron si “tufë” – ku secili individ nuk është i fuqishëm veçmas, por në bashkëveprim kthehet në mekanizëm shkatërrues.

Në ambientin politik të ngritur në Republikën e Kosovës, me theks gjatë dy dekadave pas luftës titanike të UÇK-së së vegjëlisë, emri i këti peshku merrë kuptimin e mirëfilltë – atë të simbolit të grabitjes kolektive.

Beteja politike jo vetëm në ambientet politike e mediale në Kosovë, po zhvillohet me theks nga 9 shkurti 2025, kur VV si një forcë politike sui generis në hapësirën shqiptare, tashmë e shndërruar në model politik e qeverisës krejt ndryshe nga forcat tjera, u konfirmua sërish si forca politike dominuese.

Vënia në lëvizje e “piranjave” të të gjitha segmenteve që veprojnë gjithandej në hapësirën shqiptare, kudo: në media e diplomaci për rikthimin me çdo kusht të opozitës në pushtet, shpërfaqi qartë edhe një lloj koordinimi të këtij brezi piranjash, me sillojin e tyre në rrafshin global.

Lufta e piranjave në Kosovë nuk kishte pushuar fare, duke mos u pajtuar asesi që nga dita e parë kur Revolucioni demokratik i heshtur i 14 shkurtit 2021 solli në pushtet një forcë politike model. Ndërkaq promovimi i modelit politik e qeverisës të VV-së përgjatë një mandati të plotë që ia mundësonë sistemi ynë politik, i ka alarmuar edhe fqinjët tanë dhe segmentet e piranjave që veprojnë në nivel të Europës Juglindore.
Më 9 shkurt 2025, kur u rikonfirmua mundësia e vazhdimit të këtij modeli edhe për së paku 4 vitet pasuese, piranjat u alarmuan skajshmërisht, prandaj janë hedhur në sulm të paparë.

Përfundim

Modeli i inauguruar nga Lëvizja Vetëvendosje shënon një moment kthese në historinë politike të Kosovës: ai është përpjekja e parë serioze për të lidhur sovranitetin politik me drejtësinë sociale dhe me demokracinë qytetare. Ky model de fakto është një ndarje e qartë nga e kaluara dhe promovim real i Republikës së tretë. Nëse ky model arrin të institucionalizohet dhe të prodhojë rezultate të prekshme, shqiptarët në rajon mund të projektohen si një aktor i ri, më i bashkuar dhe më i besueshëm në Ballkan. Në të kundërt, dështimi i tij do të thellonte zhgënjimin e qytetarëve dhe do ta rikthente politikën kosovare në spiralen e vjetër të kompromisit dhe korrupsionit.

Me fjalë të tjera, e ardhmja e shqiptarëve nuk do të përcaktohet vetëm nga rrethanat e jashtme, por edhe nga aftësia e tyre për të prodhuar një model qeverisës të qëndrueshëm, të drejtë dhe autentik. Vetëvendosje ka hapur një rrugë; sfida është nëse do të mund ta mbajë të hapur dhe ta kthejë atë në shteg të përbashkët për gjithë kombin shqiptar.

Referenca

Anderson, B. (1983). Imagined Communities: Reflections on the Origin and Spread of Nationalism. London: Verso.
Gramsci, A. (1971). Selections from the Prison Notebooks. New York: International Publishers.
Habermas, J. (1989). The Structural Transformation of the Public Sphere: An Inquiry into a Category of Bourgeois Society. Cambridge, MA: MIT Press.
Habermas, J. (1996). Between Facts and Norms: Contributions to a Discourse Theory of Law and Democracy. Cambridge, MA: MIT Press.
1. Jürgen Habermas, Ein neuer Strukturwandel der Öffentlichkeit und die deliberative
Politik, Berlin, 2023 [Botimi I fundit]

  1. Shih më gjersisht tezën e doktoraturës së Arlind Qorit:
    http://www.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2015/09/Doktoratura-Arlind-QoriFakulteti-i-Shkencave-Sociale-Departamenti-i-Shkencave-Politike.pdf

  2. Hare, Quntin. ed. Smith, Geofferey Noëell. ed. [1971] Selections from the Prison Notebooks of Antonio Gramsci. New York, International Publishers, f. 10

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit