Një gjykatë në Paris e dënoi ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, me pesë vjet burgim, pasi e gjeti fajtor për komplot lidhur me një skemë të supozuar për financimin e fushatës së tij presidenciale më 2007 me fonde nga Libia.
Gjykata vendosi se ai do të burgoset edhe nëse e apelon vendimin. Por, gjykata tha se data për dërgimin e tij në burg do të caktohet më vonë.
Gjykata e gjeti fajtor Sarkozyn për pjesëmarrje në organizatë kriminale në komplotin nga viti 2005 deri më 2007 për financimin e fushatës së tij me fonde nga Libia në këmbim të favoreve diplomatike. Por, ai u lirua nga tri akuza të tjera, përfshirë për korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe fshehje të fondeve të përvetësuara publike.
Sarkozy, 70 vjeç, e kritikoi vendimin dhe tha se ai ishte viktimë e një padrejtësie skandaloze, duke shtuar se do ta apelojë vendimin.
“Kjo padrejtësi është skandaloze. Kërkoj nga populli francez, pavarësisht nëse ka votuar për mua apo jo, të mendojë për këtë çfarë ndodhi. Urrejtja vërtet nuk ka kufij”, tha ai.