Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy është shpallur fajtor për konspiracion kriminal në një rast që lidhet me marrjen e miliona eurove fonde të paligjshme nga udhëheqësi i ndjerë libian Muammar Gaddafi.
Kryetari i trupit gjykues në këtë çështje tha që Sarkozi u kishte lejuar “bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë” dhe “ndërmjetësve jozyrtarë” të përpiqeshin “të merrnin mbështetje financiare për fushatën e tij”.
Këto përpjekje përfshinin “takime me përfaqësuesit zyrtarë të Gadafit” dhe “rregullimin e transferimeve të fondeve publike”.
Sarkozy 70 vjeç është ende në pritje të dënimit, por pritet të jetë në gjendje të largohet nga gjykata i lirë duke apeluar vendimin, gjë që do ta shtynte dënimin deri pas apelit.
Sarkozi ka deklaruar vazhdimisht pafajësinë e tij dhe ka pretenduar se është viktimë e një fushate shpifjeje të koordinuar nga aleatët e Gadafit, pasi ish-presidenti francez udhëhoqi përpjekjet e NATO-s për të rrëzuar diktatorin libian në vitin 2011.
Sarkozy konservator ka pasur përplasje të përsëritura me ligjin që kur u largua nga detyra – përfshirë një rast korrupsioni në të cilin ai u shpall fajtor dhe i ka shteruar të gjitha të drejtat e apelit. Por çështja libiane përmbante akuzat më të rënda dhe dënimet më të rënda të mundshme.