Pas pranisë së përsëritur të dronëve në disa aeroporte, Danimarka nuk ka ndërmend të kërkojë konsultime me aleatët e NATO-s sipas Nenit 4 të traktatit të NATO-s.
”Qeveria nuk ka plane për të aktivizuar këtë nen”, tha sot ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, pas një takimi të komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme në Kopenhagë, sipas agjencisë daneze të lajmeve, Ritzau.
Prania e disa dronëve të mëdhenj të hënën në mbrëmje çoi në mbylljen e plotë të aeroportit të Kopenhagës për disa orë.
Të mërkurën në mbrëmje, dronët u shfaqën përsëri në errësirë mbi aeroportet e tjera në perëndim, gjë që çoi në mbylljen e hapësirës ajrore mbi aeroportin e Aalborgut. Qeveria daneze po e konsideron atë një “sulm hibrid”.