Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka njoftuar një raund të ri tarifash doganore shumë të rënda mbi importet e disa mallrave, nga produktet farmaceutike te kamionët. Nuk ka shumë rëndësi që, për shembull, marrëveshja me Evropën, që stabilizon shumicën e tarifave në 15%, hyri në fuqi 24 orë më parë.
Duke filluar nga 1 tetori, “do të vendosim tarifa 100% mbi çdo produkt farmaceutik të markës ose të patentuar, përveç rasteve kur një kompani po ndërton fabrikën e saj farmaceutike në Amerikë” – ka shkruar ai në rrjetin e tij social Truth, duke sqaruar se “ndërtim do të quhet një kantier në fazë nisjeje dhe/ose në ndërtim. Prandaj, nuk do të ketë tarifa mbi këto produkte farmaceutike nëse ndërtimi ka filluar”.
Një mënyrë për të bindur kompanitë të zhvendosin prodhimin e tyre në SHBA, edhe sepse produktet farmaceutike kanë qenë një nga nyjet kryesore të negociatave mes Uashingtonit dhe Brukselit që synonin përjashtimin nga taksat. Por kjo nuk ndodhi: tarifa prej 15% u aplikua edhe mbi ilaçet jo gjenerike, të vetmet që përfundimisht u përjashtuan.
Po nga 1 tetori, do të hyjnë në fuqi tarifa prej 25% mbi importet e kamionëve të rëndë dhe 50% mbi mobiliet e kuzhinës, banjës dhe produkte të lidhura. Vendimi, ka shkruar Trump në Truth, është marrë sepse Shtetet e Bashkuara janë “të përmbytura nga këto produkte që vijnë nga vende të tjera. Është e padrejtë dhe duhet të mbrojmë, për arsye të sigurisë kombëtare, procesin prodhues”.