Ditën e sotme policia e Kosovës ka konfiskuar pushkë automatike, pushkë gjahu, 50 fishekë, kondak pushke, një palë pranga, mbajtës pushke, maskë kundër helmeve me çantën e saj, këllëf arme dhe 5 karikatorë të zbrazët në një bodrum afër sheshit “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas konfiskimit dhe ka thënë se nuk ka më strehë për kriminelët apo elementet e tjera që cenojnë sigurinë e vendit. Ai ka shprehur se mbeten të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit.
“Asnjë pjesë e territorit të Republikës sonë nuk është më strehë as për kriminelë e as për armatim apo elemente të tjera që cënojnë sigurinë e vendit tonë. Në qendër të Mitrovicës së Veriut, në bodrumin e një ndërtese kolektive sot janë gjetur dy armë, municion i llojeve të ndryshme, karikatorë, gazmaskë e pranga. Mbetemi të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe për Republikën tonë”, shprehet Sveçla.