Partia e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), nuk arriti të bëjë surprizën në zgjedhjet e ripërsëritura në tri bashkitë e Landit Nordhein-Westfalen, duke humbur në të gjitha fushat. Ndërkohë, Partia Socialdemokrate (SPD) pësoi një humbje të rëndë historike në Dortmund, qytet ku kishte sunduar për më shumë se tetë dekada.
Në Gelsenkirchen, bastion tradicional i SPD-së, kandidati i kësaj partie, Andrea Hensel, siguroi 66.9% të votave, duke mundur kandidatin e AfD-së, Norbert Emerich, i cili mori 33.1%. Në Duisburg, kryetari aktual i bashkisë nga SPD, Sören Link, fitoi bindshëm me 78.6%, ndërsa kandidati i AfD-së mori vetëm 21.4%. Ndërkaq, në Hagen, kandidati i CDU-së, Dennis Rehbein, doli fitues me 71.7%, duke lënë pas kandidatin e AfD-së me 28.3%.
Humbja më e rëndë për SPD-në erdhi në Dortmund, ku kandidati i CDU-së, Alexander Kaluity, me origjinë nga Libani, fitoi me 52.9%, duke mundur kryebashkiakun në detyrë të SPD-së, Thomas Westphal, i cili mori 47.08%.
Një rezultat pozitiv për socialdemokratët erdhi nga Oberhausen, ku Torsten Berg arriti të rimarrë bashkinë për herë të parë pas një dekade në opozitë, duke fituar me 51% të votave kundrejt 49% të kryebashkiakut në detyrë, Daniel Schranz.
Këto rezultate tregojnë jo vetëm një refuzim të AfD-së në arenën lokale, por edhe një dobësim të dukshëm të pozicionit të SPD-së në qytete ku dikur dominonte pa rivalë.









