Kryetarja e Dhomës së Avokatisë, Joana Qeleshi e ftuar në emisionin “5Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv u shpreh se Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë në një kohë të shkurtër vendimin për Erion Veliajn, pasi ky rast la nevojë që të merret një vendim.
“Presidenti nuk duhet të bëjë dekretimin deri sa Kushtetuesja të shprehet dhe unë mendoj se GJK do ta shqyrtojë brenda një kohë të shkurtër duke parë edhe rëndësinë e rastit. Ka pasur raste kur kryetarët e bashkisë janë shkarkuar, por asnjëherë kështu.
GJK do ta shqyrtojë shpejtë dhe s’do jetë nevoja që të dilet jashtë Kushtetutës nga ana e presidentit. Derisa GJK të shprehet duhet që të pritet vendimi i saj.
Ky rast ka nevojë për një vendimmarrje të shpejtë dhe nuk besoj se do të ketë vonesa. Sepse është një konflikt mes pushteti qendror dhe atij lokal dhe duhet që ti jepet një zgjidhje” tha ajo.