Presidenti rus Vladimir Putin ka firmosur dekretin për nisjen e fushatës së rekrutimit të vjeshtës, e cila parashikon thirrjen e rreth 135 mijë burrave të moshës 18 deri në 30 vjeç për të kryer shërbimin ushtarak njëvjeçar.
Sipas dekretit, rekrutët duhet të paraqiten në ushtri nga 1 tetori deri më 31 dhjetor. Rusia zhvillon dy fushata rekrutimi në vit një në pranverë dhe një në vjeshtë ndërkohë që autoritetet pretendojnë se rekrutët nuk dërgohen në luftën në Ukrainë, por angazhohen në detyra mbështetëse brenda territorit rus.
Megjithatë, ka pasur raportime të përsëritura se disa prej tyre janë përfshirë në luftime. Vetëm pak muaj më parë, Ukraina njoftoi se kishte kapur disa rekrutë rusë gjatë një përplasjeje në rajonin kufitar të Kurskut.
Kujtojmë se tema e rekrutimit ka qenë gjithmonë delikate në Rusi, që prej luftës së parë në Çeçeni, kur shumë të rinj humbën jetën. Kjo fushatë e re pritet të ndiqet me vëmendje, sidomos në sfondin e vazhdueshëm të konfliktit në Ukrainë.