Parashqevi Simaku ka reaguar me vendosmëri ndaj shpifjeve që kanë qarkulluar për emrin e saj gjatë 10 muajve të fundit.
Këngëtarja shqiptare, e cila prej vitesh jeton në SHBA, thekson se këto sulme janë vetëm përpjekje të ulëta për të fituar klikime dhe në fund, ata që i bëjnë i ulin vetëm veten.
Ajo kujton edhe kohën kur në vitet 1985-1988 përballej me zili dhe mllef, por nuk ka lejuar që asnjëherë kjo të ndikojë në karrierën e saj.
Simaku shprehet se publiku e njeh mirë dhe di se çfarë ajo përfaqëson, ndaj nuk shqetësohet nga sulmet. Në përfundim ajo thekson se do të vazhdojë rrugën e saj me dinjitet dhe të vërtetën në krah.
Reagimi i Parashqevi Simakut:
Prej 10 muajsh, emri im është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që përpiqen të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.
Por në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndodh. Edhe në vitet 1985–1988 flitej për mua – për çmimet që kisha fituar me shumë punë, përkushtim dhe sakrifica – por shumë nga ata flisnin me mllef dhe zili. Edhe atëherë, si sot, zgjodha të mos ndalem.
Sot dua t’ju them vetëm kaq: Mua nuk më bëni dot asgjë. Publiku im më njeh prej vitesh dhe e di shumë mirë kush jam, çfarë kam dhënë dhe çfarë përfaqësoj.
Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten.
Unë vazhdoj rrugën time me dinjitet dhe të vërtetën në krah. Kjo është forca ime.
/5pyetjet.al