Këtë të mërkurë u nënshkrua një marrëveshje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, për të ofruar praktika të paguara studentëve dhe për të përmirësuar përgatitjen e tyre profesionale.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku theksoi se kjo marrëveshje është pjesë e një iniciative të re që synon të rrisë barazinë gjinore dhe të zhvillojë kapitalin njerëzor, duke përgatitur profesionistë të rinj që plotësojnë kërkesat e tregut të punës, përfshirë edhe rritjen e numrit të praktikantëve në përputhje me kurrikulën.
“Ky vit përkon edhe më një iniciativë të re pjesë për paktin për Universitetin që nisi në 2018. Që nga ajo kohë bashkëpunimi ka qenë i ngushtë. Është e rëndësishme që Shqipëria të punojë për ngritjen e një kapitali njerëzor që do t’i përgjigjet edhe kërkesave të tregut europian jo vetëm të vendit tonë. Sot më shumë se kurrë ka një kërkesë të lartë për burime njerëzore, por duhet të jenë të trajnuar dhe të kalojnë të gjitha kriteret. Prandaj sot duhet të investojmë tek të rinjtë, tek ata që do të udhëheqin Shqipërinë drejt një zhvillimi të vrullshëm dhe të arsyeshëm ndaj qeveria Rama ka vendosur njeriun në qendër. Paga mesatare kombëtare brenda këtij mandati do të arrijë 1 mijë euro.”