Konflikti mes dy reperave të njohur amerikanë, Nicki Minaj dhe Cardi B, ka marrë një kthesë të rëndë pas disa ditësh shkëmbimi akuzash dhe “diss”-esh në rrjetet sociale. Tensionet kanë kaluar kufijtë e zakonshëm të rivalitetit muzikor, duke përfshirë edhe familjarët e tyre.
Nicki Minaj ka sulmuar në mënyrë të papranueshme vajzën 7-vjeçare të Cardi B, Kulturën, duke përdorur fjalë fyese si “buburrec” dhe “majmun”.
Ky veprim nxiti reagime të forta nga fansat dhe mediat, të cilët dënuan përfshirjen e fëmijëve në përplasje publike. Nga ana tjetër, kujtohet se edhe Cardi B më parë ishte kritikuar për gjuhën e saj ndaj një fëmije.
Cardi B reagoi me një postim të gjatë, ku mbrojti fuqishëm vajzën e saj dhe akuzoi Nicki Minajn për xhelozi dhe për përfshirje të familjes në këtë rivalitet. “Kulture është e bukur”, shkroi ajo, duke dënuar sulmet ndaj fëmijës së saj.
Ky episod ka ndezur debatin për kufijtë që duhet të kenë përplasjet publike, sidomos kur preken fëmijët, ndërsa asnjëra prej tyre nuk ka dhënë shenja pendese deri tani. Fansat vazhdojnë të ndajnë mendimet, duke e mbajtur rivalitetin në fokusin e medias rozë.