Zbardhen detaje të reja në lidhje me plagosjen e regjistruar paraditen e sotme tek gjimnazi “Ibrahim Rugova” në Kamëz. Disa adoleshentë të moshës 15 deri në 17 vjeç pas një konflikti mes njëri-tjetrit kanë përdor thikat.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:50 në rrugë te bulevardi “Nënë Tereza”. Nga ngjarja janë plagosur dy 16-vjeçarë, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Ata kanë marrë plagë në kraharor dhe se janë ende duke u ekzaminuar.
Gjithashtu është dëmtuar lehtë dhe një bashkëmoshatar i tyre, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas dhe po marrin deklaratat e tyre. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të përfshirë në konflikt.








