Një avion pasagjerësh që po udhëtonte nga Mbretëria e Bashkuar drejt Egjiptit është detyruar të bëjë një ulje emergjente në ishullin grek të Kretës, për shkak të sjelljes së rrezikshme të një pasagjereje britanike 38-vjeçare.
Gruaja, e cila udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijën e saj të vogël, dyshohet se ishte në gjendje të dehur dhe refuzoi të bindet ndaj udhëzimeve të ekuipazhit. Ajo u bë agresive dhe shkaktoi shqetësim mes udhëtarëve, duke rrezikuar sigurinë e fluturimit.
Kapiteni vendosi të devijojë avionin dhe u ul në aeroportin e Heraklionit, ku pasagjerja u arrestua nga autoritetet greke menjëherë pas uljes. Ajo pritet të përballet me akuza për sjellje të rrezikshme gjatë fluturimit.
Incidenti është pjesë e një serie ngjarjesh të ngjashme që po ndodhin gjithnjë e më shpesh në fluturime ndërkombëtare. Vetëm këtë javë, një fluturim i Ryanair nga Londra për në Alicante u devijua në Tuluzë, ndërsa një tjetër nga Mançesteri për në Ibiza u vonua për shkak të pasagjerëve të dehur.
Kompanitë ajrore kanë paralajmëruar se raste të tilla sjellin jo vetëm rrezik për sigurinë, por edhe kosto të mëdha për linjat ajrore dhe shqetësime për udhëtarët.E dehur në avion, pasagjerja britanike detyron ulje emergjente në Kretë