Për ata që kishin ende dyshime se Rama udhëhiqej nga interesi publik për të mos i lënë Tiranasit pa një Kryebashkiak në zyrë, le të shërbejë operacioni “blitz” për zgjedhje të parakohshme pa pritur vendimin e Kushtetueses si një provë demaskuese.
“Nuk mund të rrijë Tirana pa Kryebashkiak” është lajtmotivi që u servir tani vonë nga mazhoranca, egzaktësisht më 11 shtator, kur Kryeministri caktoi në Asamblenë e PS-së pa pritur dhe pa kuptuar Manastirliun si kandidate për t’i zënë vendin Erion Veliajt.
Po pse nuk u shfaq ky Kryeministër i qëllimeve të mira në prillin e kaluar kur Tirana mbushte tre muaj pa Kryebashkiak? Pse nuk e kapi Ramën në atë moment ky shqetesim akut institucional për zgjedhje të parakohshme siç e kapi tani brënda dy javeve në shtator, në atë pikë sa t’i fusi marshin e shtatë dhe të eci dhe mbi Kushtetutën?
Pse nuk e vuri Presidentin të shpallte si në cdo demokraci normale, që në datën e zgjedhjeve legjislative të 11 majit të kaluar, në qarkun Tiranë, votuesit të votonin njëkohëisht edhe për një kryebashkiak të ri meqënëse sipas ligjit që trumbetohet me forcë sot, nje bashki s’mund të rrika më shumë se tre muaj pa Kryebashkiak në detyrë?
Në Tirane ashtu si në Himarë më parë keto afate u kaluan dhe u tejkaluan pa mallëngjyer njeri në Kryeministri apo Presidencë. Kur Tirana faktikisht paska 9 muaj pa Kryebashkiak (shkurt – tetor) , pse mos te rrije kryeqyteti , që realisht drejtohet nga njerëzit e Ramës, edhe 9 muaj të tjerë ashtu siç është, dhe më pas të organizohet një herë e mirë një fushatë për zgjedhjet e rradhës më 2027?
Argumenti se mazhorancen e bren ndërgjegja institucionale se Tiranës i duhet urgjentisht një Kryebashkiak i ri nuk qëndron. Kur “urgjenca” pret 9 muaj ajo rezulton relative.
E verteta është se Edi Rama i do këto zgjedhje në kohë rekord para daljes së raportit te OSBE/Odihr-it i cili pritet të jetë kritik për zgjedhjet e majit të kaluar.
Nëse ky raport i mëshon pikave që përfaqësues të lartë europianë i thanë me gojë në konferencën për shtyp pas zgjedhjeve ku nënvizuan vesin e keq kryesor të kësaj mazhorance , përdorimin e parave të Shtetit për Pushtetin, atëherë me të drejtë Opozita do të kërkonte masa riparuese përpara se të organizohet një masakër e re zgjedhore.
Për Ramën një garë me akrepat e orës ka nisur : ta fusë sa më parë prej krahu Opozitën në zgjedhje të reja, pa dalë ende raporti i ndërkombëtarëve dhe pa riparuar mangësitë katastrofike të zgjedhjeve që sapo u mbyllën, në menyre që ai t’i fitojë në të njëjtën mënyrë zgjedhjet e reja dhe t’u argumentojë ndërkombëtarëve se në Shqipëri problem nuk janë zgjedhjet por Opozita destruktive që s’e njeh kurrë humbjen.
Një taktike që filloi të funksionojë pasi Opozita ra në kurth, duke hyrë në llogjiken e Ramës për zgjedhje të parakohshme me kërkimin e një kandidati, pa ngritur fillimisht problemin llogjik sesi mund të flitet për zgjedhje të reja kur ende s’janë riparuar mangësitë e atyre që sapo u mbyllën.
Opozitës i erdhi për fat të mirë në ndihmë vetë ai qe Opozita kërkon ta shohë as më gjatë prapa hekurave , Erion Veliaj me apelin e këtij të fundit në Kushtetuese .
Eshtë si një kohë shtesë loje që i jep shpresë kampit opozitar të ketë në duar raportin e OSBE/Odihr-it dhe të hapë një debat të vërtetë publik sesi duhen rikonceptuar zgjedhjet në Shqipëri në mënyre që parregullsitë që u panë mos të ripërsëriten më.
Por ja që Kryeministri refuzon me çdo kusht të presë dhe tre – kater muaj më tepër që do t’i nevojiteshin Gjykatës kushtetuese për një vendimmarrje pas ankimimit të Erion Veliajt për shkarkim të pajustifikueshëm.
Nëse kjo mazhorancë priti nga shkurti në tetor që Bashkia e Tiranës të qëndrojë pa Kryebashkiak pse mos të presë tani pak më pak, nga tetori në shkurt në mënyrë që Erion Veliajn i cili ka “kontribuar” aq shumë në fitoret e Partisë socialiste të marrë një vendim të formës së prerë ?
Asgjë pra nuk e justifikon këtë nxitim marramendës deri në shkeljen me kembë të Kushtetutës përveçse qëllimit të mazhorancës të fshije sa më shpejt nga memorjet parregullsitë e majit, para se të publikohet raporti i OSBE-se duke organizuar urgjentisht zgjedhje të reja që t’i fitojë siç fitoi të kaluarat.
Misioni i Opozitës
Opozita ta kundërshtojë këtë kalendar elektoral që po i imponohet në shkelje të Kushtetutës dhe të përfitojë nga kjo kohë për të hapur debatin e vërtetë i cili s’mund të jetë një debat për zgjedhjen e një kandidati mes aleatëve për Tiranën, por një platformë serioze me masa konkrete sesi duhet të organizohen zgjedhjet në Shqipëri për t’i hequr mundësitë mazhorancës të përdorë Shtetin për Pushtetin!
Me këtë kod zgjedhor dhe me këtë drejtësi elektorale, Mazhoranca nuk rrezikon asgjë: as kur mbushi në fushatën e kaluar zgjedhore sheshin Skënderbej me 6 mijë punonjës bashkiakë me uniforma që të duartrokisnin partinë në Pushtet, as kur bënte mitingje elektorale në diasporë me kryeministër, ministra dhe kryebashkiakë të paguar nga Shteti për të bindur diasporën të votonte për mazhorancën, as kur shante Kryeministri çdo mëngjes sy më sy opozitën nga zyra e Kryeministrisë që financohet nga paratë e Shtetit, pa përmendur dhe skandalin e shantazhit publik të Kryeministrit në zgjedhjet bashkiake në Shkodër kur kërcënoi popullatën lokale për ndërprerje investimesh shtetërore nëse ajo nuk votonte për mazhorancën.
Si mund të imagjinohet të zhvillohen sërish zgjedhje në Shqipëri kur nuk është adresuar asnjë nga këto fakte të frikshme për një demokraci, përmes dhjetëra apo qindra fakteve të tjera shokuese që peshojnë mbi mazhorancën si organizatore e zgjedhjeve?
Vendi nuk ka nevojë për zgjedhje sa për të larë gojën siç ndodh rëndomazi në republikat bananiere. Shqipëria që aspiron të hyjë së shpejti në BE ka nevojë për zgjedhje të rregullta.
Ndaj është në interes të të gjitha palëve, duke përfshirë dhe mazhorancën, që të pritet me qetësi dhe durim raporti i OSBE-ODIHR-it, të nxirren konkluzionet e nevojshme, të ndërmerren masat adekuate për zgjedhje të pakontestueshme duke imagjinuar një sistem penaliteti me heqje votash ndaj partisë që përdor fonde shtetërore për qëllime elektorale.
Në mbyllje, mos të harrohet kurrë, se procesi i bujshëm deri në burgim të një ish-presidenti që ndodhi së fundmi në Francë, ndodhi pikërisht për arsye përdorimi të makinerisë shtetërore për qëllime elektorale.
Kur Shqipëria të arrijë në atë nivel legjislacioni dhe drejtësie si ai i vendeve perëndimore ku nuk tolerohet që Shteti t’i shërbejë Pushtetit, atëherë po, kjo Opozitë të hyjë pa drojë në zgjedhje dhe po i humbi t’i shtrëngojë dorën kundërshtarit. Në stadin aktual të tolerancës me abuzimet me fondet shtetërore në zgjedhje, kjo Opozitë do të hyjë në zgjedhje ashtu siç hyn cjapi te kasap