Sot në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua një takim mes Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Presidentit të Letonisë, Edgars Rinkēviçs, i cili është në vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë bisedimeve u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si integrimi europian, siguria rajonale dhe shkëmbimi i përvojave parlamentare.
Një vend të rëndësishëm zuri bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, ku prania e trupave shqiptare në Letoni dhe e trupave letoneze në misionin e KFOR-it në Kosovë dëshmon solidaritetin mes dy vendeve aleate.
Peleshi falënderoi Letoninë për mbështetjen e saj të vazhdueshme në rrugën drejt BE-së, ndërsa Presidenti Rinkēviçs theksoi rolin stabilizues të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe kulturor.
Ky takim riafirmoi vullnetin për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe partneritetin euroatlantik.


 
                                    





