Lufta në Ukrainë, ngritja e Kinës dhe polarizimi mes demokracive perëndimore dhe autoritarizmave euroaziatikë kanë ndryshuar rrënjësisht gjeopolitikën europiane. Ballkani, për shkak të pozitës së tij gjeostrategjike, mbetet një zonë e përplasjes dhe e projeksionit të fuqive të mëdha, ku pasqyrohen rivalitetet e reja globale.
Serbia, e cila luhatet mes orientimit drejt Bashkimit Europian dhe aleancës tradicionale me Rusinë, është bërë një nyje ku ndërthuren interesa të ndryshme të fuqive të mëdha. Në këtë kontekst, Gjermania e sheh Serbinë si furnizues të rëndësishëm të litiumit, mineral kritik për tranzicionin energjetik; ndërsa Franca shpreson të konsolidojë ndikimin e saj përmes shitjes së avionëve luftarakë Rafale. Këto interesa gjeoekonomike, megjithëse të ligjshme nga perspektiva kombëtare, shpesh bien ndesh me interesat strategjike të Perëndimit si bllok, i cili synon të neutralizojë ndikimin rus dhe kinez në rajon.
2. Rirreshtimet gjeopolitike dhe Ballkani
Në qendër të rivalitetit, në vija të trasha mbesin dy palë: Perëndimi dhe Rusia.
Derisa NATO dhe BE synojnë të mbajnë stabilitetin në Ballkan, të përshpejtojnë integrimin europian dhe të frenojnë ndikimin rus. Rusia, e izoluar nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës, përdor Serbinë si pikën kryesore të ndikimit. Përmes propagandës mediatike, lidhjeve kulturore dhe mbështetjes për çështjen e Kosovës, Moska synon të mbajë një vatër të hapur tensioni në rajon. Ky rivalitet përkthehet në një luftë hibride: destabilizim politik, ndikim në zgjedhje, instrumentalizim të çështjes së minoriteteve.
Por ky rivalitet ndërkohë shtrihet edhe brenda BE-së dhe fuqive europiane.
- Gjermania fokusohet tek stabiliteti politik dhe interesat energjetike/minerale (litiumi në Serbi).
- Franca kërkon të konsolidojë ndikimin ushtarak dhe ekonomik (p.sh. shitja e Rafale-ve Serbisë).
- Këto qasje shpesh nuk janë të harmonizuara me politikat e përbashkëta të BE-së, duke krijuar hapësira që Serbia i përdor për të manovruar.
Në agsholin e rendit të ri boëtëror dhe rigrupimeve gjeopolitike në ndryshim e sipër, Serbia kishte pretenduar për më shumë se një dekadë, që nga pushtimi i Krimesë nga ana e Rusisë [2014] ta rishikojë doktrinën e saj strategjike në përputhje me politikat ekspasioniste që aplikon që nga themelimi I saj si shtet modern [1878].
Ndërkaq pas rifillimit të agresionit rus për pushtimin e plotë të Ukrainës [shkurt 2022] dhe përshkallëzimit të rivalitetit midis Perëndimit dhe boshtit ruso-kinez, gjeopolitika botërore ka hyrë në një fazë rirreshtimi të ri. Fuqitë e mesme dhe vendet në periferi të hapësirave të mëdha strategjike po përdorin politikën e balancimit për të ruajtur mundësitë për manovrim. Në këtë kuadër, Ballkani ka pretendime të trajtohet si një zonë tampon midis BE-së/NATO-s dhe Rusisë, ku Serbia do të luante rolin e aktorit kyç që kërkon të përfitojë nga tensionet.
Por Serbia nuk vesh dot kostumin e Turqisë dhe as atë të Britanisë së Madhe në këtë lojë. Serbia gjatë gjithë kësaj periudhe gjykoi se koketimi i saj me Gjermaninë [dhënia e litiumit] dhe Francës [blerja e rafaelve] do ta “zbuste” motorin e BE-së që të pranonte pushtimin e veriut të Kosovs dhe aneksimin e Republikës Serbe në njërën anë, por edhe shtrirjen e influencës dhe marrjen nën kontroll të Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut, dhe kjo llogaritje ishte pjesërisht e saktë: Evropa e përlogariste se kështu do t’ia arrinte ta shkëpusë Serbinë nga sfera e ndikimit rus. Por, siç po e dëshmon koha, ky pozicionim në dobi të Serbisë, i paketuar me përfitime në rrafshin gjeoekonomik dhe strategjik, nuk ka gjasa të përmbyllet me një fitore win-win si për Berlinin e Parisin, në njërën anë, ashtu edhe për Beogradin, në anën tjetër.
Serbia ka përzgjedhur një strategji të vetëquajtur neutralitet aktiv: Nga njëra anë, ajo është kandidate për anëtarësim në BE dhe merr miliarda euro ndihmë zhvillimore nga Brukseli. Nga ana tjetër, ruan lidhje të ngushta politike, ushtarake dhe kulturore me Rusinë, e cila shihet si mbrojtësja tradicionale e interesave serbe në Kosovë. Ndërkohë, Kina është bërë një partner strategjik për investime dhe teknologji, duke e shndërruar Serbinë në “nyjen kineze” të Ballkanit përmes iniciativës Belt and Road.
Ky pozicionim i trefishtë i lejon Beogradit manovrim të përkohshëm, por njëkohësisht e ekspozon ndaj presioneve të mëdha nga të tri palët.
2.1 Rirreshtimet gjeopolitike dhe Serbia
Në kuadrin e rirreshtimeve globale, Serbia është vendosur në një trekëndësh tensioni në raport me tri boshtet e gjeopolitikës.
- Boshti Perëndimor (BE/NATO): kërkon stabilizim, harmonizim të politikave të sigurisë dhe zgjidhje të konfliktit me Kosovën. Për BE-në, Serbia është “çelësi i Ballkanit”.
- Boshti Lindor (Rusia): përdor Serbinë si pikë mbështetje për propagandë, ndikim energjetik dhe destabilizim në rajon. Karta e Kosovës mbetet arma më e fortë e Moskës për të mbajtur Beogradin të lidhur.
- Boshti Aziatik (Kina): përmes investimeve në infrastrukturë, teknologji dhe energji të gjelbër, Pekini po e kthen Serbinë në platformë për zgjerim në Europën Qendrore.
Në këtë kontekst, Serbia përpiqet të shmangë zgjedhjen e qartë, përfundimtare, duke ndjekur një politikë zigzage që i ngjan modelit të vendeve të Lëvizjes së të
Painkuadruarve, por e përditësuar për realitetin multipolar.
Kjo strategji, megjithatë, përballet me disa kufizime: Lufta në Ukrainë dhe sidomos tejzgjatja e saj ka reduktuar hapësirën për neutralitet. Presioni i BE-së dhe SHBA-së është në rritje; Serbisë i kërkohet qartësi ndaj sanksioneve kundër Rusisë.
Serbia gjithnjë e më shumë po bëhet e varur nga kapitali kinez, energjia ruse dhe subvencionet evropiane – një pozicion kontradiktor e i pasigurt, që në gjeostrategji do të përkthehej si varësi e shumëfishtë.
Kjo varësi e shumëfishtë ka prodhuar lëvizjen tektonike që po e trandë Serbinë për pothuajse një vit rresht. Protestat masive vazhdojnë gjithandej dhe mundsia për rrëshqitje në luftë civile mbetet një skenar fare i mundshëm. Ttuje nacionalizmi dhe retorika për “botën serbe” e mbajnë shoqërinë të lidhur me orientimin rus, duke e bërë më të vështirë afrimin me Perëndimin.
2.2. Gjermania dhe litiumi serb
Projekti “Jadar” në Serbi, i zhvilluar fillimisht nga kompania Rio Tinto, përfaqëson një nga rezervat më të mëdha të litiumit në Europë. Ky mineral është thelbësor për prodhimin e baterive dhe për strategjinë gjermane të tranzicionit drejt elektromobilitetit. Gjermania, me industrinë e saj automobilistike (Volkswagen, BMW, Mercedes), kërkon të diversifikojë burimet e furnizimit për të shmangur varësinë nga Kina dhe tregjet e largëta. Për pasojë, Serbia shihet si një partner ekonomik me rëndësi strategjike.
Megjithatë, një politikë e tillë krijon një paradoks: duke investuar në Serbi pa kushte të qarta politike, Berlini rrezikon të forcojë një regjim që mbetet autoritar dhe me lidhje të ngushta me Moskën.
2.3 Franca dhe shitja e Rafale-ve
Franca ka hyrë në një ofensivë të re ekonomike e gjeopolitike në Ballkan. Kontrata e mundshme për shitjen e avionëve luftarakë Dassault Rafale Serbisë përfaqëson jo vetëm një interes tregtar, por edhe një përpjekje për ta rivendosur Parisin si aktor kyç në sigurinë evropiane.
Nga njëra anë, shitja e Rafale-ve i jep Serbisë një status të ri ushtarak, duke e afruar atë me vendet që tashmë kanë zgjedhur këtë platformë (Greqia, Kroacia). Nga ana tjetër, kjo krijon asimetrikë të reja ushtarake në rajon dhe ngre pikëpyetje mbi qëllimin e vërtetë të Serbisë, e cila refuzon të harmonizohet me politikën e përbashkët të sigurisë së BE-së.
3. Interesat strategjike të Perëndimit si bllok
Qëllimi i NATO-s dhe BE-së në Ballkan është i qartë: stabilizimi i rajonit, dobësimi i ndikimit rus dhe afrimi gradual i Serbisë drejt strukturave euroatlantike. Mirëpo, qasja e veçantë e Berlinit dhe Parisit shpesh saboton këtë objektiv të përbashkët.
- Litiumi serb mund të shndërrohet në një instrument presioni për Beogradin, ngjashëm me përdorimin e gazit nga Rusia ndaj BE-së.
- Armatosja e Serbisë me Rafale krijon dilema sigurie për fqinjët, sidomos për Kosovën, dhe dobëson besimin tek “garancitë euroatlantike”.
Kështu, interesi afatshkurtër ekonomik bie ndesh me interesin afatgjatë strategjik: sigurimin e një rajoni të qëndrueshëm dhe të integruar.
Por, kur interesat gjeoekonomike të shteteve të veçanta brenda BE-së dhe NATO-s shpesh nuk përputhen plotësisht me interesat strategjike të Perëndimit si bllok, përlogaritjet lehtësisht mund të përmbysen.
4. Humbësit e lojës
Në këtë kontekst, mund të identifikohen tre “humbës” kryesorë:
- Beogradi, sepse sa më shumë mbështetet tek marrëveshjet dypalëshe, aq më shumë e humb orientimin e qartë strategjik dhe rrezikon të ngelet peng i kontradiktave ndërkombëtare.
- Parisi, sepse një Serbi e armatosur por jo e integruar do të mbetet burim destabiliteti, duke dëmtuar kredibilitetin e Francës si promotore e sigurisë europiane.
- Berlini, sepse investimet në litium mund të kthehen në bumerang politik, duke krijuar varësi të reja dhe duke minuar vizionin e tij për një BE të bashkuar.
Fituesi i vetëm afatshkurtër është Aleksandar Vuçiqi, i cili arrin të luajë në disa fronte: përfiton nga Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina njëkohësisht. Por kjo nuk e fuqizon Serbinë si shtet, përkundrazi e zhyt në një pozicion të varësisë së shumëfishtë.
5. Skenarët e mundshëm për Serbinë
- Skenari euroatlantik: Serbia detyrohet nga dinamika ndërkombëtare të shkojë drejt BE-së, duke kufizuar ndikimin rus dhe duke pranuar një marrëveshje që I jep fund politikave ekspansioniste serbe në dëm të shqiptarëv, duke i hapur kështu rrugë normalizimit real të marrëdhënieve me Kosovësn.
- Skenari euroaziatik: Beogradi afrohet më shumë me Moskën dhe Pekinin, duke u bërë “porta lindore” e tyre në Ballkan. Ky skenar rrezikon të sjellë izolim nga BE dhe tensione të reja rajonale. Ky është skenari më i mundshëm. Me këtë rast Shkupi, si në epokën e Pjetër Bogdanit, shndërrohet në kufirin e skajshëm të Perednimit.
- Skenari i ekuilibrit të zgjatur: Serbia vazhdon politikën aktuale të manovrimit, duke përfituar nga të gjithë pa u angazhuar plotësisht me asnjë bllok. Ky model është i qëndrueshëm vetëm për aq kohë sa fuqitë e mëdha nuk e detyrojnë Beogradin të zgjedhë.
5.1 Skenari euroaziatik dhe rikthimi i kufijve historikë
Nëse Serbia afrohet më tej me Moskën dhe Pekinin, duke e përqafuar boshtin euroaziatik, Ballkani rrezikon të përjetojë një ndarje të re civilizimesh. Kjo Serbi e re, e lidhur fort me Rusinë dhe Kinën, do të veprojë si “porta lindore” e tyre në kontinent, duke e përçarë rajonin dhe duke e vendosur atë në një zonë tampon të përhershme. Në këtë rast Maqedonia e Veriut do të shdukej nga harta politike e Europës.
Në këtë skenar, kufijtë politikë dhe kulturorë të Europës do të zhvendosen. Ashtu si në shekullin XVII, kur Pjetër Bogdani dhe elitat intelektuale shqiptare e perceptonin Shkupin si kufi të botës perëndimore përballë presionit osman, edhe sot Shkupi do të gjendej në një pozitë të ngjashme. Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut do të bëhej linja e parë e mbrojtjes së Perëndimit, një zonë kufitare ku ndikimi euroatlantik do të përplasej drejtpërdrejt me projektin euroaziatik.
Ky skenar mund të filloj së realizuari relativisht shpejt. Ai ndërlidhet edhe me pozicionin që do të marrin ambasadat e SHBA-ve në kuadër të rishikimeve që po bën State Departmenti me emrimet e ambasadorëve rezident në Europë e me theks në Ballkan.
Një Serbi e vendosur në kampin lindor do të sillte pasoja të mëdha e të palogaritshme:
- Për BE-në: humbje strategjike të një vendi kyç në zemër të Ballkanit, duke e detyruar Brukselin të pajtohet me ndarjen e Maqedonisë së Veriut mes Bullgarisë dhe Shqipërisë dhe duke përshpejtuar krijimin e Federatës Shqiptare, ku pesha e Prishitnës do të ishte meritore në krahun e saj juglindor.
- Për NATO-n: rritje e tensioneve dhe militarizim i rajonit, pasi Serbia do të shihej si instrument i Moskës dhe Pekinit për të sfiduar arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
- Për FederatënShqiptare: një ringjallje e përplasjes historike midis një bote perëndimore që mbron vlerat e saj dhe një bote lindore që kërkon të zgjerojë ndikimin e vet përmes nacionalizmave dhe autoritarizmit.
6. Federata Shqiptare midis metaforës civilizuese dhe realitetit politik
Rirreshtimet e reja gjeopolitike në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe përplasja midis Perëndimit dhe boshtit ruso-kinez, kanë rikthyer vëmendjen te Ballkani si hapësirë e brishtë dhe e ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme. Në këtë kontekst, Serbia shihet gjithnjë e më shumë si “porta lindore” e Moskës dhe Pekinit në rajon. Për disa analistë, kjo situatë ngjan me një ringjallje të përplasjes historike midis Perëndimit dhe Lindjes, ku Federata Shqiptare do të vendosej sërish në rolin e “gardianit kufitar” duke na rikthyer tek epoka e Gjergj Kastriotit. Por a është kjo pamje reale, apo më shumë një metaforë e së shkuarës?
6.1 Metafora e përplasjes civilizuese
Historia e rajonit na kujton shpesh se Ballkani ka qenë kufi i përplasjes midis perandorive dhe civilizimeve. Në shekullin XVII, Pjetër Bogdani e konceptonte Shkupin si kufirin e skajshëm të Perëndimit përballë presionit osman. Në të njëjtën mënyrë, sot mund të argumentohet se një Serbi e lidhur fort me Moskën e Pekinin do ta rikthente këtë kufi simbolik, me Shkupin, Prishtinën dhe Tiranën si vijën e parë të mbrojtjes së Perëndimit.
Në këtë lexim metaforik, Federata Shqiptare do të ishte sërish një “mur mbrojtës” i Europës, një vijë ndarëse mes vlerave demokratike perëndimore dhe autoritarizmit lindor që mbështetet nga nacionalizmat e instrumentalizuara. Kjo qasje krijon një narrativë dramatike në shikim të parë, por të bazuar në teorinë e realizmit politik: shqiptarët si faktor stabiliteti në rajon dhe mburoja e parë e Perednimit në krahun jugor të kontinentit, siç janë aktualisht vendet e Baltikut për perendimin e kontinentit.
6.2 Realiteti politik: përplasja e modeleve të qeverisjes
Megjithatë, kjo pamje është më shumë një metaforë historike sesa një analizë e thellë e zhvillimeve aktuale. Në fakt:
- “Federata Shqiptare” e pazyrtarizuar [Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës] edhe tashti është pjesë e strukturave euroatlantike. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, Kosova mbrohet nga KFOR dhe gëzon mbështetje të fuqishme amerikane.
- Nuk ka një kufi civilizimesh, por një ndarje midis modeleve të qeverisjes: nga njëra anë Perëndimi me demokraci funksionale dhe integrim; nga ana tjetër modeli euroaziatik që promovon autoritarizëm dhe varësi ekonomike.
- Serbia nuk ka potencialin e dikurshëm imperial. Ajo mbetet një fuqi rajonale e kufizuar, e varur nga kapitali kinez, energjia ruse dhe subvencionet europiane. Pra, nuk mund të shndërrohet realisht në “shtyllën e Lindjes” në Evropë, edhe pse retorikisht shfaqet si e tillë.
Për rrjedhojë, rreziku kryesor për shqiptarët sot nuk është përplasje civilizuese, siç supozojnë në disa qendra perendimore aleate të Serbisë, por rrëshqitja në autoritarizëm dhe kapje shteti – një fenomen që mund ta dobësojë përkatësinë e tij euroatlantike nga brenda.
6.3 Balancimi midis metaforës dhe realitetit
Këto dy qasje nuk janë domosdoshmërisht të kundërta, por plotësuese:
- Metafora civilizuese ndihmon të kuptohet perceptimi historik dhe roli simbolik i shqiptarëve si pjesë e pandashme e Perëndimit. Kjo metaforë e ndihmon edhe procesin e përshpejtimit të krijimit të Federatës Shqiptare.
- Analiza realiste shtron sfidën konkrete: paralel me ecjen drejt integrimit kombëtar dhe krijimit ët Federatës Shqiptare që të dy republikat egzistuese duhet të punojnë në forcimin e institucioneve, integrimin në BE, konsolidimin e demokracisë dhe ndërtimin e integrimin e një ekonomie të qëndrueshme.
Vetëm duke e përballuar këtë ndeshtrashë të brendshme, shqiptarët do të shmangun rrezikun e reduktimit në një “kufi të përhershëm” dhe do të bëhet pjesë organike e Perëndimit ku tashmë i përket. Kjo përballje do të jetë e sukseshme nga pala shqiptare atëherë kur, mMarrëdhëniet me partnerët tanë perëndimorë – veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Kroacinë – I bazojmë jo vetëm në vlera të përbashkëta, por mbi të gjitha në interesa strategjike.
Këto interesa e pozicionojnë Republikën e Kosovës dhe hapësirën shqiptare në tërësi si një faktor me rëndësi të veçantë në këtë periudhë tranzicioni: nga perëndimi i rendit botëror të ngritur pas Luftës së Dytë Botërore (1945) drejt formësimit gradual të një rendi të ri ndërkombëtar, i cili po shoqërohet me rigrupime të theksuara gjeopolitike.
Në këtë kuptim, rreshtimi ynë i drejtë në anën e fuqive perëndimore merr peshë historike dhe mund të krahasohet me zgjedhjen strategjike që bëri Gjergj Kastrioti në epokën e tij.
7. Përfundim
Rivalitetet gjeopolitike në Evropë nuk janë të kufizuara në Ukrainë, por shtrihen thellësisht në Ballkan. Ky rajon është një lakmues i ardhmërisë së rendit europian: nëse Ballkani arrin të integrohet, kjo do të jetë shenjë e fuqisë së Perëndimit; nëse mbetet peng i manovrave serbo-ruso-kineze, kjo do të tregojë dobësitë e BE-së dhe fragmentimin e saj.
Në fund, Ballkani nuk është vetëm objekt i gjeopolitikës – por edhe subjekt, sepse zgjedhjet e elitave dhe shoqërive të tij do të përcaktojnë se cilit kamp do t’i përkasin në të ardhmen.
Interesat e ngushta gjeoekonomike të Gjermanisë dhe Francës në Serbi duken tërheqëse në plan afatshkurtër, por në perspektivë strategjike ato janë kontraproduktive. Ato minojnë unitetin euroatlantik, forcojnë një regjim që mbetet i paqëndrueshëm dhe i lidhur me Moskën, dhe dërgojnë sinjalin se Perëndimi nuk ka një qasje koherente ndaj Ballkanit.
Në këtë lojë, Beogradi, Parisi dhe Berlini rrezikojnë të dalin humbës së bashku – ndërsa fitues mbetet vetëm oportunizmi afatshkurtër i një lideri autoritar. Për të shmangur këtë, Perëndimi duhet të harmonizojë politikat e tij dhe të ndërthurë interesat ekonomike me kushte të qarta politike, duke e lidhur Serbinë me reformat dhe integrimin real europian.
Skenari euroaziatik, ku Serbia afrohet më shumë me Moskën e Pekinin, është i mundshëm dhe rrezikues për stabilitetin rajonal. Por për shqiptarët, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një rikthim të përplasjes civilizuese të tipit Bogdanian. Realiteti është më kompleks: beteja nuk është mes Perëndimit dhe Lindjes si botëra kulturore, por mes demokracisë dhe autoritarizmit si modele qeverisjeje.
Prandaj, sfida kryesore për Ballkanin shqiptar nuk është të mbrojë kufijtë e Europës, por të ndërtojë një Europë funksionale brenda kufijve të vet./ ISHGJ