Aeroporti i Mynihut në Gjermani u mbyll dhe anuloi mbi një duzinë fluturimesh të enjten në mbrëmje, pasi u panë dronë pranë hapësirës së tij ajrore.
BBC shkruan se të paktën 17 fluturime u ndaluan në Mynih, duke ndikuar në afërsisht 3 mijë pasagjerë. Aeroporti njoftoi gjithashtu se 15 fluturime të tjera u devijuan në qytete të afërta.
Ende nuk ka konfirmim se nga kanë ardhur dronët. Në javët e fundit, disa aeroporte nëpër Europë janë mbyllur përkohësisht për shkak të dronëve të paidentifikuar.
Aeroporti i Mynihut njoftoi autoritetet menjëherë sapo dronët u zbuluan. Fluturimet u pezulluan dhe aeroporti u mbyll dy orë para afatit të zakonshëm, i cili është nga mesnata deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Kontrolli ajror devijoi fluturimet që pritej të uleshin në Mynih drejt Stutgartit, Nurembergut, Vjenës dhe Frankfurtit.
Për shkak të errësirës, nuk kishte informacion të saktë mbi llojin, madhësinë apo origjinën e dronëve, tha zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer, për gazetën Bild. Sipas policisë, dronët u panë për herë të parë në orën 21:30 sipas kohës lokale dhe më pas përsëri një orë më vonë.
Shfaqja e shpeshtë e dronëve në vendet e Bashkimit Europian ka shkaktuar shqetësime, duke çuar në organizimin e një samiti të liderëve në Kopenhagë këtë javë.
Në disa incidente të veçanta, 20 dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë, ndërsa avionë luftarakë rusë MiG-31 kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë.
Aeroportet e Kopenhagës dhe Oslos janë detyruar gjithashtu të mbyllen përkohësisht pas shfaqjes së dronëve pranë hapësirës ajrore civile dhe ushtarake.
Rusia ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa autoritetet daneze thonë se nuk ka prova që Moska të jetë përfshirë. Duke folur në një samit në qytetin bregdetar të Soçit të enjten, presidenti rus Vladimir Putin bëri shaka me pretendimet se ai kishte urdhëruar dërgimin e dronëve në Danimarkë.
“Nuk do ta bëj më. Nuk do ta bëj më, as ndaj Francës, as ndaj Danimarkës apo Kopenhagës”, tha Putin me ironi.
Mijëra pasagjerë e kaluan natën në aeroportin e Mynihut. “U vendosën shtretër dhe u shpërndanë batanije, pije dhe ushqime të lehta“, tha aeroporti në një deklaratë.
Aeroporti i Mynihut u hap sërish të premten në mëngjes, pasi ishte mbyllur gjatë natës për shkak të dronëve. Kjo ndodhi në prag të një feste kombëtare në Gjermani, duke shtuar shqetësimet për cenueshmërinë e infrastrukturës kritike në Europë.
Aktualisht, qyteti i Mynihut është duke organizuar festivalin vjetor të Oktoberfest-it, i cili përfundon më 5 tetor. Sipas faqes zyrtare të festivalit, ai tërheq më shumë se gjashtë milionë vizitorë në vit.
Sipas një dëshmitari të agjencisë Reuters, mëngjesin e së premtes, pasagjerët ishin duke bërë check-in për fluturimin drejt Varna-s në Bullgari, ndërsa tabela e nisjeve tregonte vetëm pak anulime. Fluturimi i parë që u ul në aeroport ishte nga Bangkoku, rreth orës 05:25 të mëngjesit, sipas faqes zyrtare të aeroportit.








