Kryeministri Edi Rama po zhvillon një konferencë me gazetarët në Kryeministri, së bashku me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Edi Rama prezantoi masat e reja të qeverisë për kontrollin e territorit dhe mbrojtjen e hapësirave publike, duke paralajmëruar fundin e ndërhyrjeve të paligjshme në ndërtim. “Duam t’i japim fund njëherë e mirë ndërhyrjeve të paligjshme në të gjithë territorin. Kjo është një qasje që shtrihet në të gjitha drejtimet dhe do të na japë rezultate të konsiderueshme, pasi krijon kushtet për disiplinimin e mëtejshëm të gjithë procesit të ndërtimeve.
Arkitekti kthehet në subjekt të ligjit dhe mban përgjegjësi të plotë. Në rast se i shmanget detyrimeve, është ai që paguan pasojat. Kontrollet do të ndahen në katër faza të qarta, ndërsa certifikata e përdorimit do të jepet vetëm pas verifikimit përfundimtar. Gjithashtu lidhja e ujit dhe energjisë elektrike kryhet vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit” tha Rama.









