Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me ministrat dhe deputetët socialistë të Tiranës për organizimin e fushatës elektorale në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, që do të mbahen më 9 nëntor.
Në këtë takim, Rama komentoi për herë të parë publikisht shkarkimin e Erion Veliajt, duke theksuar se: “Qeveria nuk e shkarkoi Veliajn, por Këshilli Bashkiak”, duke i dhënë fund spekulimeve për përfshirjen e ekzekutivit në vendimin që çoi në shpalljen e zgjedhjeve.
Ai u kërkoi strukturave të PS-së që të mos përfshihen në debatet politike dhe ligjore që po zhvillohen paralelisht, pasi për Partinë Socialiste “çështja është e mbyllur” dhe prioriteti mbetet organizimi dhe fitorja në 9 nëntor.
Rama ndau zonat e përgjegjësisë për deputetët dhe ish-deputetët në Tiranë sipas modelit të zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa konfirmoi se në fushatë do të përfshihen edhe ministrat e kabinetit, me rol mbështetës për fushatën në terren.


 
                                    





