Deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur pakënaqësi të thellë lidhur me mënyrën se si u ndanë detyrat për zgjedhjet e ardhshme në Bashkinë e Tiranës, ku kandidatja për kryetare është Ogerta Manastirliu.
Braçe, i caktuar si një nga drejtuesit e Njësisë 5, nuk është dakord me faktin që drejtimi kryesor i fushatës iu besua Taulant Ballës.
Në një komunikim me anëtarët e njësisë, Braçe theksoi se është angazhuar shumë gjatë në terren për të mbështetur qytetarët dhe për të përfaqësuar interesat e tyre.
Ai u shpreh i zhgënjyer nga ky vendim që e përjashton nga drejtimi i fushatës, duke e cilësuar si një vendim jo të drejtë dhe si një shenjë mosbesimi ndaj punës së tij.
Megjithatë, deputeti siguroi se nuk do të tërhiqet dhe do të vazhdojë të punojë në terren, duke qenë pranë socialistëve dhe duke përkrahur kandidatët e partisë në çdo cep të Njësisë 5.
“Pavarësisht ndryshimeve në strukturat organizative, unë do të qëndroj i përkushtuar në fushatë dhe në mbështetje të Partisë Socialiste, sepse për mua ka rëndësi vetëm fitoreja dhe shërbimi ndaj qytetarëve,” deklaroi Braçe.
Ai gjithashtu përmendi se gjatë punës së tij ka hasur pengesa dhe vështirësi, përfshirë edhe kërcënime për denoncimet që ka bërë ndaj abuzimeve në inspektoratin komunal, por është i vendosur të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe integritet.








