Në Shqipëri, raporti midis pushtetit qendror dhe atij vendor ka qenë gjithmonë një terren i brishtë. Shpesh aty shkarkohen tensionet politike të ditës. Rasti i fundit i shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, e riktheu këtë debat me forcë.
Vlen të theksohet qysh në krye të herës që, shkarkimi i Veliajt nuk hyn tek parashikimi i nenit 115 të Kushtetutës. Mburoja kushtetuese për organin e qeverisjes vendore të zgjedhur drejtpërdrejt, vlen vetëm në rastin e shkarkimit për shkelje të rëndë. Këtu Gjykata Kushtetuese gjykon faktin nëse jemi apo jo përpara shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve. Në rastin Veliaj, nuk ka pezullim automatik të vendimit të Këshillit të Ministrave.
Veliaj nuk është shkarkuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve. Ai u shkarkua për mungesën më tepër se 3-mujore të pandërprerë në detyrë (neni 62, pika c, e ligjit nr. 139/2015). Këshilli Bashkiak i Tiranës, konstatoi faktin juridik dhe propozoi shkarkimin. Këshilli i Ministrave e miratoi. Presidenti shpalli zgjedhjet e pjesshme, më 9 nëntor 2025.
Ky është një proces juridik. Presidenti gjykoi se procedura ka qenë e ligjshme. Por, le të presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila gjykon për të parën herë një kazus me këtë bazë ligjore.
Ndërkohë në kaosin mediatik, lukunia e analistëve, avokatëve dhe konstitucionalistëve të vetëshpallur po “ngatërrojnë dynjanë”. Por realiteti është i qartë. Veliaj u shkarkua për një fakt të thjesht juridik, “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”. Rruga më e shkurtër për të kundërshtuar vendimin është ankimi administrativ, jo kushtetues.
Pyetja që shtrohet këtu është: A po e përdorë Veliaj drejtësinë për një betejë të ndershme juridike, apo po përpiqet që ta shndërrojë atë në një spektakël politiko-mediatik?
Këtu duhet të kishim një reflektim të munguar. Veliaj do të duhej të ishte më tepër mirënjohës ndaj Partisë Socialiste. Forcës politike që i dha mundësinë që të bëhej deputet, ministër dhe më pas kryetar bashkie. Dorëheqja në këtë rast do të kishte qenë akti më fisnik dhe një lëvizje taktike që do t’i shërbente më tepër në betejën e tij juridike.
Thënë shkurt. Ligjërisht, Veliaj është jashtë loje. Vendimi i Këshillit të Ministrave vlen. Presidenti është në të drejtën e tij. Zgjedhjet nuk ndalen.
Në lojën politike, Veliaj po përpiqet që ta paraqes Kushtetutën si mburojë. Sepse “ankimi në Gjykatën Kushtetuese” tingëllon më fort sesa “ankimi në gjykatën administrative”. Njëra është betejë teknike, tjetra është betejë politike. Argumenti i tij mund të jetë i zgjuar politikisht, por është i dobët juridikisht.
Kjo është arsyeja pse beteja e tij është më shumë një përpjekje për të krijuar një narrativë publike sesa një kauzë ligjore. Ai po lufton për të krijuar perceptimin se qeveria po e shkarkon arbitrarisht një kryetar bashkie të zgjedhur nga populli.
Në arenën politike, ai po përpiqet që ta shndërrojë dështimin në kauzë. Ndërkohë në Shqipëri, si zakonisht, nuk po flitet për interesin e qytetarëve që presin shërbim, por për karriget që prodhojnë kriza të rreme.