Në Ditën Botërore të Mësuesve, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka ndarë një mesazh mirënjohjeje për të gjithë mësuesit shqiptarë, duke vënë në pah rolin jetik që ata luajnë në formimin e brezave.
Përmes një reagimi publik, ajo ndalet jo vetëm tek respekti për këtë figurë të çmuar, por edhe tek problemet serioze me të cilat përballen sot mësuesit në Shqipëri, nga pagat e ulëta e deri te presioni politik dhe kushtet e vështira të punës.
“Në këtë 5 Tetor, Ditën Botërore të Mësuesve, dua të përulem me respekt dhe mirënjohje për të gjithë mësuesit në Shqipëri. Pavarësisht vështirësive, ata vazhdojnë të formojnë brezat me përkushtim, durim dhe idealizëm.
Fatkeqësisht, kjo ditë e rëndësishme i gjen mësuesit në një realitet të vështirë:
Gjendja e tyre financiare është e dobët, paga nuk përputhet me përgjegjësinë që mbajnë dhe kostot e jetesës që rriten çdo ditë.
Barrën e madhe të punëve jashtë orarit, që shpesh janë të papaguara, si plotësimi i dokumentacionit në SMIP, mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me prindër, përgatitja e planeve dhe analizave të pafundme etj e kanë kthyer rolin e mësuesit në një ngarkesë të jashtëzakonshme administrative.
Mungesa e kushteve të përshtatshme për mësimdhënie cilësore ku klasat janë të mbingarkuara, infrastruktura është e vjetëruar, dhe mungojnë mjetet bazë didaktike.
Mungesa e trajnimeve të rregullta dhe cilësore falas nga shteti, që do t’i ndihmonin të përmirësonin vazhdimisht metodat e tyre të mësimdhënies.
Presioni politik dhe ndërhyrjet e padrejta, që cënojnë dinjitetin profesional dhe pavarësinë e mësuesve, në vend që të krijohet një mjedis i shëndetshëm për arsim cilësor.
Këto nuk janë thjesht halle të mësuesve, këto janë plagë të sistemit arsimor që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e edukimit të fëmijëve tanë dhe të ardhmen e vendit.
Si deputete, angazhohem që zëri i mësuesve të dëgjohet më fort në Kuvend, që problemet e tyre të mos anashkalohen, por të trajtohen me prioritet.
Respekti për mësuesin është themel i çdo shoqërie të zhvilluar. Pa mësues të vlerësuar, nuk ka arsim cilësor. Pa arsim cilësor, nuk ka të ardhme.”








