Forcat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë nisur prishjen e disa barakave pranë Rrugës së Arbrit, të ndërtuara nga banorët lokalë për të siguruar të ardhura familjare.
Megjithatë, banorët kundërshtojnë ndërhyrjen, duke pretenduar se strukturat janë ngritur në pronat e tyre dhe se janë afër rrugës, pa shkelur ligjin. Ata shprehin shqetësim për humbjen e burimit të vetëm të jetesës dhe kërkojnë zgjidhje nga autoritetet.
“Kemi kërkuar në bashkinë e Klosit të na pajisin me dokumentacion, por nuk kanë pranuar. U gëzuam kur u ndërtua rruga, menduam se do sillte zhvillim, por me këtë që po na bëjnë, më mirë të mos ishte ndërtuar fare. Jemi zhytur në borxhe për të ndërtuar këto baraka, dhe tani na vendosin edhe gjoba. Mua më kanë gjobitur me një milion e gjysmë lekë. Jemi të detyruar të largohemi, se s’kemi më nga të jetojmë”, shprehet Fitim Hoxha, banor i Xibrit.