Gazetari Mentor Kika i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV vë në pah se ngjarja e rëndë në sallën e gjykatës është vetëm maja e aisbergut të një krize më të thellë institucionale dhe morale. Ai thekson se përgjegjësia nuk mund të shmanget nga qeveria dhe se situata kërkon më shumë se një vendim gjyqësor një reflektim serioz dhe veprime konkrete për të adresuar problemet që kanë çuar në këtë tragjedi.
“Qeveria nuk mund të lajë duart dhe të thotë që përgjegjësia nuk është e imja. Nëse nuk është e qeverisë, atëherë e kujt është? Nuk mund të ndodhë që dikush të hyjë me armë në sallën e gjyqit pa u kontrolluar. Kjo ngjarje është rezultat i qindra problemeve të mbledhura ndër vite një fluskë që në fund ka plasur.
Në këtë rast, gjykata dha një vendim që dëshmon një humanizëm të jashtëzakonshëm: nuk ia kaloi një objekt shtetëror në pronësi një individi, edhe pse kishte presion. Autori kishte kërcënuar se nëse prona nuk i kalohej, do të përgjigjej me armë.
Korrupsioni është realiteti më i tmerrshëm, por ai nuk mund të justifikojë pasojat e dhunës. Nuk besoj se gjyqtari merr para nga banorët që jetojnë në kushte të vështira, në dhoma të ngjashme me hotele. Edhe kur dikush i bie me grusht një mjeku, qytetarët thonë ‘mirë ia bëri’, sepse kanë ndjenjën se po u pinë gjakun por kjo është rrënja e problemit.
Kjo nuk është thjesht një çështje që mbyllet me një goditje çekiçi apo një vendim të shkruar me laps. Duhet gjykim i thellë, drejtësi reale dhe përgjegjësi e plotë për çdo hallkë të sistemit,” tha Kika.