Krimi ka kërcënuar vazhdimisht drejtësinë e herë pas here ka qëlluar edhe në shenjë. Por ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja, është rasti i parë që ndodh brenda një institucioni drejtësie. Ai u vra brenda Gjykatës së Apelit, për shkak të detyrës.
Pas vrasjes me eksploziv të gjytarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, në vitin 2011, në historinë e sistemit të drejtësisë, Astrit Kalaja është gjyqtari i dytë që humb jetën për shkak të detyrës. Por ndryshe nga ngjarjet e mëparshme, autori i ngjarjes së 6 tetorit 2025, sot dihet dhe është arrestuar.
Vrasjet e njerëzve të drejtësisë janë konsideruar gjithmonë si atentate mafioze dhe dosjet kanë përfunduar duke u mbyllur me siglën “pa autor”. Më të vështirat për t’u zbardhur, atentatet ndaj avokatëve, prokurorëve e gjyqtarëve, mbeten edhe më të rëndat në sytë e qytetarëve.
Që nga viti 1999 e deri sot, janë vrarë në atentate tipike mafioze, që vijojnë ende të jenë të pazbardhura, 5 njerëz që kanë pasur lidhje direkte me sistemin e drejtësisë në vend. Një vajzë prokurori, kryetari i Dhomës së Avokatisë, dy gjyqtarë dhe një avokat kanë humbur jetën në sulme, për të cilat nuk është arrestuar ende askush.
Sulmet kanë qenë drejtpërdrejt ndaj tyre, por edhe ndaj familjarëve, ashtu siç ndodhi me studenten 21-vjeçare Kozeta Hyseni. Më 19 shkurt të vitit 1999, ajo u gjet e masakruar në Qytetin Studenti në Tiranë. Kozeta Hyseni, vlonjatja që vazhdonte studimet në degën “Gjuhë Letërsi”, është gjetur e masakruar pranë kinoklubit të Qytetit Studenti, mëngjesin e 19 shkurtit të vitit 1999. Vrasja e Hysenit u cilësua si një hakmarrje ndaj të atit, pasi ai në atë kohë ishte prokuror i Vlorës.
Një ngjarje e bujshme tronditi kryeqytetin mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij. Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt. Para se të vdiste, kur policët i kishin treguar atij disa fotografi, përgjigjja e avokatit ka qenë: Do t’ua tregoj, kur të dal nga spitali.
Më 30 shtator të vitit 2003, vritet Genci Sina, shoferi i prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Ai ishte duke shoqëruar bashkëshorten e Sollakut dhe vajzën e tij, kur në afërsi të Piramidës, një taksi i afrohet makinës së tij, një person zbret dhe e qëllon me armë zjarri, duke e lënë të vdekur. Familjarët e viktimës deklaronin se Sina nuk kishte asnjë problem personal, por ngjarja ishte një mesazh për kryeprokurorin.
Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthim që ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor.
Vrasja e avokatit Ravik Gurra, në një lokal në mes të Elbasanit, mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2019, ishte një dëshmi e fortë se si krimi godet me gjithë ashpërsinë e tij dhe sa serioz është kur kërcënon. Edhe avokatët, ashtu sikurse prokurorët dhe gjyqtarët, janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Por në 25 vitet e fundit sistemi i drejtësisë është sulmuar në të gjitha drejtimet. Është përballur me akuza, me kërcënime, por persona të caktuar, pjesë e tij, kanë qenë edhe objekt atentatesh mafioze.
Më 1 nëntor të vitit 2019, mbetet i vrarë në një atentat pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja. Hetimet për atentatin u përqendruar tek vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës prokurorit Arjan Ndoja, i cili u plagos në atë ngjarje. Por Policia dhe Prokuroria nuk e përjashtonin mundësinë që objektiv i atentatit mund të kishte qenë edhe Pëllumb Muharremi, që ndodhej në makinë me të dhe u plagos./ abcnews.al








