Të gjitha institucionet e drejtësisë kanë reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ditën e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Reagimi i Dhomes se Avokatise
Te tronditur thellesisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen ne ambjentet e gjykates te Gjyqtarit te Gjyjates se Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem, kolegut dhe mikut Tone Astrit Kalaja, trupa e avokateve i percjell familjes ngushellimet me te thella . Kjo ngjarrje eshte gjithashtu nje goditje per te gjith sistemin e drejtesise dhe shtetit te se drejtes . Kjo ngjarrje, per kedo eshte nje thirrje alarmi per sigurine, se pari te jetes dhe shendetit te kolegeve, gjyqtarve dhe prokuroreve dhe njekohesisht nje thirrje edhe per avokatet per thellimin e punes per ndergjegjesimin e paleve ne procese penale, civile dhe administrative per c’ka atyre ju takon ligjerisht dhe per pritshmerite ne proceset ku ata perfaqesojne palet.
DEKLARATË E TRUPËS GJYQËSORE TË GJYKATËS SË LARTË
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm. Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës.
Reagimi i KLP-se
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi.
Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.
Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit.
Reagim i ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu
Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës.
Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës.
Reagim i ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari
Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.
Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë.
Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal. U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!