Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj Presidentit Bajram Begaj, duke e akuzuar se veproi në kundërshtim me Kushtetutën kur dekretoi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, ndërsa ishte ende në pritje vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Erion Veliajt.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e quajti Begajn të padenjë për postin e Presidentit dhe e lidh vendimin e tij me presionin politik të ushtruar nga kryeministri Rama, për të cilin tha se ka frikë nga Veliaj “sepse ai di më shumë se çdo shqiptar tjetër për të”.
“Kështu që me të gjitha bashkitë e tjera ne jemi të gatshëm. Kandidatët janë shpallur, janë edhe ata kandidatura intelektualësh, biznesmenësh, mjekë, të pavarura, por që do të kenë mbështetjen e plotë të PD dhe koalicionit tonë.
Ne nuk kërkuam asnjë ditë, asnjë orë kohë edhe për bashkinë e Tiranës. Ishim të përgatitur, motorët po ndizeshin, kandidati po bënte përgatitje të ethshme, por natyrisht vendimi i Kushtetueses mirëpritet nga çdo qytetar i vendit, sepse pa Kushtetutë, pa kushtetueshmëri vendi nuk ka të ardhme.
Begaj është i padenjë, jo për postin e Presidentit, por me dosjet që i rëndojnë. Ndaj dhe ai i lejoi vetës të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste. Është frika dhe tmerri i Ramës nga Erion Veliaj. Sepse Veliaj di më shumë se çdo shqiptar tjetër për Edi Ramën”, deklaroi Berisha.