Tre të rinj u arrestuan të hënën në Antverp, Belgjikë, me dyshimin se po planifikonin një sulm terrorist kundër kryeministrit Bart De Wever.
Sipas autoriteteve, ata donin të përdornin një dron me lëndë shpërthyese për të kryer sulmin.
Gjatë kontrollit të shtëpive të tyre u gjetën pajisje shpërthyese të improvizuara dhe një printer 3D, që dyshohet se do përdorej për të prodhuar pajisje për sulmin.
Të tre të rinjtë janë të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007.
Dy prej tyre ndodhen në paraburgim, ndërsa i treti është liruar pas marrjes në pyetje.
Hetimet vazhdojnë nga autoritetet belgë.