Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas prishjes së një biznesi në zonën e Kombinatit, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si janë trajtuar pronat private në disa raste të ngjashme gjatë viteve të fundit.
Gjatë një deklarate nga vendi i ngjarjes, Tabaku u shpreh se subjekti i shembur kishte dokumentacion të rregullt dhe ishte në një marrëdhënie ligjore me shtetin, përfshirë lejet dhe regjistrimet përkatëse.
“Po shohim një model të përsëritur ku prona private goditet papritur, pa njoftim dhe pa një proces të qartë ligjor,” tha Tabaku. Ajo e cilësoi këtë një formë abuzimi që, sipas saj, nuk përfaqëson një shtet ligjor, por një formë presioni mbi qytetarët dhe biznesin e ndershëm.
Duke iu referuar edhe rasteve të ngjashme në 5 Maj, në Theth dhe në Vlorë, ajo paralajmëroi se ky fenomen po përhapet dhe se askush nuk mund të ndihet i sigurt për pronën e tij nëse mungon transparenca dhe drejtësia.
“Sot ndodhi në Kombinat, nesër mund të ndodhë diku tjetër. Duhet të ngremë zërin kur të drejtat cenohen në këtë mënyrë,” shtoi më tej ajo.
Deputetja theksoi se nuk është kundër zhvillimit apo ndërhyrjeve urbane, por thelbësore është që çdo veprim të kryhet mbi bazën e ligjit dhe me respekt ndaj qytetarit.
/5pyetjet.al








