Shqipëria luan sot ndaj Serbisë për kualifikueset e Botërorit, dhe përveç rëndësisë së ndeshjes, kjo ditë ka peshë të madhe edhe për Elseid Hysajn. Mbrojtësi pritet të jetë titullar dhe kjo do të jetë ndeshja e tij e 93-të me fanellën kuqezi – duke barazuar kështu Lorik Canën si lojtari me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares sonë.
Ndryshe nga Cana, që është tërhequr prej vitesh, Hysaj vazhdon të jetë pjesë kyçe e ekipit dhe ka mundësi që shumë shpejt ta kalojë këtë rekord. Të hënën luajmë ndaj Jordanisë dhe nëse aktivizohet, Hysaj do të mbetet i vetëm në krye me 94 ndeshje.
Deri tani, ai ka qenë kapiten i Shqipërisë në 24 raste, ndërsa Cana e ka mbajtur shiritin 41 herë. Në këto 93 ndeshje, Hysaj ka hyrë si zëvendësues 10 herë dhe është zëvendësuar në 9 ndeshje – statistika të ngjashme me ato të Canës.