Autoritetet greke janë ende në ndjekje të autorit të dyshuar të vrasjes së pronarit grek të një kampingu dhe një punëtori shqiptar. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet po thellohen në disa pista të mundshme, përfshirë edhe atë të një “vrasjeje me porosi”.
Sipas burimeve të SKAI, autori është larguar nga vendngjarja me një skuter të bardhë me targa të mbuluara dhe ka përshkruar një rrugë të gjatë për të shmangur gjurmimin. Itinerari përfshinte zona si Methoni, Pylos, Kyparissia dhe përfundoi në Haidari të Athinës, ku ai humbi çdo gjurmë.
Hetuesit besojnë se autori ka qenë i njohur me terrenin dhe ka përdorur rrugë dytësore për të shmangur kamerat. Po ashtu, po hetohen pamjet filmike dhe një telefonatë e dyshimtë brenda kampingut, e bërë në momentin e vrasjes, që mund të jetë sinjal për përfundimin e ekzekutimit.
Ndërkohë, po shqyrtohen edhe dy testamente që mund të lidhen me motive financiare, teksa mbetet e hapur mundësia që autori të ketë qenë një i afërm i viktimave apo një ekzekutues i paguar.