Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shfaq shumë i lumtur për fitoren minimale ndaj Serbisë.
“Gjatë lojës ka emocion të madh. Tani kur e mendoj, ne e meritonim fitoren. E menaxhuam mirë. Isha me zemër në dorë deri në fund. Te goli i Manajt u gëzova shumë. I kisha thënë që prisja dy gola, por shënoi një. E mbajti fjalën. Nuk ka trajner që të beson vendin, nëse nuk e meriton.
Duhet të fillojmë të mendojmë për Andorrën që tani. Çunat kanë të drejtë të gëzojnë. Nuk e shikoj si fitore historike. E shikoj si fitore që na mban në lojë për “play off” dhe na mban në garë për Botëror. Kemi më shumë se gjysmën e rrugës.
Kjo nuk ishte dhuratë për mua, por për ata vetë. Për prindërit e tyre, për ata vetë dhe për popullin shqiptar. Me Silvinjon kemi qarë të dy, para se të takonim çunat. Do mundohemi të nisemi sa më shpejtë”, deklaroi Duka.








