Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka folur në Forumin e Parë të Investimeve Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, duke theksuar potencialin e lartë ekonomik të rajonit.
Von der Leyen vuri në dukje se ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet të rriten me shpejtësi dhe bëri thirrje investuesve që të mos humbasin këtë mundësi të artë. “Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani,” tha ajo.
Ajo nënvizoi përparimin e dukshëm të rajonit drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe rëndësinë e planit të rritjes që BE miratoi për Ballkanin Perëndimor, i cili synon dyfishimin e prodhimit të brendshëm bruto gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
“Është përparim jo vetëm në letër por edhe në realitet, dhe falë punës së madhe të udhëheqësve si ju Edi, e këmbëngulës së qytetarëve, ky ndryshim pon ndodh këtu. Ballkani Perëndimor është tashmë në mënyrë të konsoliduar në rrugëtimin e vet për t’u bërë pjesë e BE. Dhe e dimë se çfarë do të thotë kjo në terma ekonomike. E kemi parë të ndodhë, të gjitha vendet që janë bërë pjesë e BE kanë përjetuar rritje të pabesueshme ekonomike. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në BP dhe nuk po flas për një të ardhme të largët.
Ekonomitë tuaja janë të prirura të rriten me shpejtësi. Ne e miratuam planin e rritjes për BP saktësisht për këtë arsye.”









