Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi një plan të gjerë masash për përmirësimin e sigurisë dhe infrastrukturës në gjykatat e Shqipërisë. Plani përfshin analizimin e situatës aktuale, përmirësimin e pajisjeve të sigurisë si skanera dhe kamera, si dhe hartimin e protokolleve standarde të sigurisë.
Gjithashtu, KLGJ ka vendosur ngritjen e grupeve ndërinstitucionale me pjesëmarrjen e Ministrisë së Drejtësisë, Policisë dhe institucioneve të tjera për të garantuar një ambient më të sigurt për gjyqtarët dhe stafin gjyqësor. Në kuadër të masave është parashikuar ndërtimi i godinave të reja të gjykatave dhe bashkëpunimi me autoritetet për ndalimin e sulmeve në media dhe rrjete sociale ndaj magjistratëve.
Në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, është iniciuar emërtimi i një salle në “Poli i Drejtësisë” me emrin e tij dhe propozimi për t’i dhënë titullin “Dëshmor i Atdheut”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh përkushtimin për një sistem drejtësie të sigurt, të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve.