Kryeministri Edi Rama u takua së fundmi me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ku diskutuan për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rama theksoi se Shqipëria po përparon me ritme të shpejta dhe me rezultate pozitive në negociatat me BE-në.
Gjatë bisedës, u fol edhe për planin e ri të rritjes së Komisionit Evropian, i cili synon të mbështesë vendet kandidate në thellimin e reformave dhe realizimin e objektivave të tyre. Kryeministri Rama shprehu mirënjohje për vëmendjen që KE-ja i kushton këtij procesi dhe theksoi angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur detyrat e marra.
“Me presidenten kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur të gjithha temat e interesit të përbashkët, dhe natyrisht që për ne, mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që ne vlerësojme shumë fakti që presidentja dhe komisioni aktual japin një rëndësi të posaçme BP, dhe japin një vëmendje të posacme procesit të përafrimit të vendeve tona me BE. Dhe kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE, që në këndvështrimin tonë por edhe në sa unë dëgjova nga presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe me shumë shpejtësi dhe nga ana tjetër, folëm edhe për planin e ri të rritjes që BE, Komisioni i ka vënë në dispozicion BP duke i dhënë mundësinë cdo vendi që përkundër axhendës së reformave dhe realizimit të objektivave në kuadër të kësaj axhende të financohet nga BE, në mbështetje të thellimit të mëtejshëm te reformave”, shprehet Rama.