Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën që do të zhvillohet më 17 tetor në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shpërndarë njoftimin për tubimin, duke kujtuar se “vetëm dy ditë na ndajnë nga protesta”, e cila pritet të nisë në orën 17:00, në Sheshin “Skënderbej”.
Protesta organizohet nga përfaqësues të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe synon të kërkojë drejtësi për ish-krerët e akuzuar që po gjykohen në Hagë.
Në tubim pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ngjarja shihet si një shprehje solidariteti ndaj figurave të luftës së Kosovës. Një protestë e ngjashme u mbajt më 14 shtator në Hagë, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga vende të ndryshme të rajonit.